Foto: Komuna e Mitrovicës së Jugut
Pas raportimit të KALLXO.com për ankesat e qytetarëve, fillon asfaltimi i rrugës "Agim Ramadani" në Mitrovicë të Jugut
Ka filluar asfaltimi i rrugës “Agim Ramadani – Katana” teksa rregullimi i trotuareve është në përfundim në Mitrovicë të Jugut, njofton Komuna e Mitrovicës më 24.10.2024.
Zhurma, pluhuri dhe punët e papërfunduara ishin bërë problem i përditshëm për banorët e kësaj zone të qytetit.
Rruga që lidh qendrën e qytetit në jug të Mitrovicës dhe “Lagjes së Boshnjakëve” në Mitrovicë të Veriut tash e një vit është në një gjendje jo të mirë infrastrukturore.
“Edhe kjo rrugë po merr pamjen e duhur, pasi janë futur nëntokë kabllot e rrymës dhe të gjithë operatorëve. Së shpejti priten finalizimet në trotuare dhe sinjalizim, duke e kthyer “Agim Ramadani-Katana” në një prej rrugëve më të kompletuara në qytet”- ka thënë nënkryetari i kësaj Komune, Arian Tahiri.
KALLXO.com ka raportuar më 02.09.2024 për gjendjen e kësaj rruge e cila sipas banorëve të kësaj zone është e lënë në gjysmë nga intitucionet komunale.
Banorët shprehnin shqetësimin e tyre për gjendjen e rrugës.
Qytetari K.H. kishte thënë për KALLXO.com se gjendja e rrugës po i shkakton telashe edhe për biznesin e tij.
“Kjo rrugë është qishtu që një vit, pluhuni është bërë një problem për mu personalisht edhe për biznesin që e kam. Goxha problem, së pari shitje po kam ma pak, se njerëzit nuk po dojnë me ble sende me pluhur”- kishte thënë qytetari.
Një qytetar tjetër që jeton në këtë lagje, në kushte anonimiteti ishte shprehur se pluhuri është kthyer në një problem shëndetësor për të.
“Që një vjet, me qita pluhur, vallahin problem me kollitje po kam, se qitu ton ditën tu punu normal që është kthyer në problem shëndëtësor. Një erë e lehtë me fry krejt qita pluhur në shtëpi e shtin, qe kqyre vet krejt oborri zi osht prej qiti tymi që vjen prej pluhurit”- theksonte qytetari 56-vjeçar.
Banorët thoshin se janë ankuar edhe në Komunën e Mitrovicës, mirëpo sipas tyre organet komunale ende nuk kanë ndërmarrë asgjë.
Ngjitur me shtëpitë e tyre, përveç ballafaqimit me pluhur problem tjetër shpreheshin se janë edhe mbeturinat.
“Krejt me pluhur e me bërllog, me qit gjendje jena tash e një vit, problem për jetës e për tonat. O jena shku, e kena folë me ta po sen, marre është për ta se çka janë tu na ba neve si qytetarë. Kjo rrugë me 500 metra mos me mujt me u shtru që 1 vjet katastrofë, a kur u kanë koha e votave krejt janë ardhë na kanë trokitë te dera. Për çka, vetëm për një votë” – kishte potencuar banori B.M.
KALLXO.com kishte kontaktuar edhe me Komunë e Mitrovicës së Jugut për gjendjen e rrugës në fjalë.
Drejtori i Shërbimeve Publike dhe Infrastrukturës, Granit Tmava, kishte thënë më 02.09.2024 se rregullimi i rrugës pritet të përfundojë brenda vitit 2024.
https://kallxo.com/lajm/rruga-e-lene-ne-gjysme-ne-mitrovice-te-jugut-ankohen-banoret-foto/