Pas raportimit të KALLXO.com, Komuna e Prishtinës nis procedurat për rregullimin e rrugës “Kasim Haxhimurati” në kryeqytet

Një pjesë e rrugës “Kasim Haxhimurati” në kryeqyetet është në gjendje të rëndë infrastrukturore.

Kjo për shkak  të një kanali të hapur të drenazhit, i cili, sipas qytetarëve, tash e disa vite po u shkakton probleme vozitësve.

KALLXO.com ka raportuar dje, më 24.07.2024, për gjendjen e kësaj rruge, ku shihen veturat teksa kalojnë me vështirësi mbi këtë kanal të hapur. 

Ndërkaq, pas raportimit të KALLXO.com nga Komuna e Prishtinës thonë se ekipet mobile, të cilat funksionojnë në kuadër të Drejtorisë së Investimeve Kapitale, kanë nisur procedurat për rregullimin e kësaj pjese të rrugës.

“Sipas informacioneve të Drejtorisë kompetente ajo nuk ka qenë në dijeni për rastin konkret, por me të kuptuar për këtë nga rasti i sotëm ekipet mobile e kanë marrë përsiper çështjen në fjalë për të rregulluar pusetat e hapura vende-vende”- ka thënë Donat Lushaku nga Komuna e Prishtinës.

Mirëpo, sipas Lushakut, ende nuk dihet se kur mund të përfundojë i gjithë rregullimi i rrugës.

“Rregullimi i tyre do të bëhet shpejt dhe një afat të saktë nuk ka”- ka shtuar Lushaku.