Foto: KALLXO.com

Pas raportimit të KALLXO.com, kërkohet shkarkimi i njeriut të PDK-së në KPM

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, e ka ngritur si çështje zgjedhjen e Granit Musliut, ish-nënryetarit të Rinisë Demokratike të Kosovës si anëtar të Komisionit të Pavarur të Mediave.

Batusha në mbledhjen e Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media ka thënë se duhet të rekomandohet shkarkimi i Granit Musliut nga pozita e anëtarit të KPM-së.

“Siç ka raportuar Kallxo.com, ai shihet në foto me Sami Lushtakun. Gjithashtu, ai shihet edhe me Ganimete Musliut, unë po ju tregoj çka u raportu edhe në media. Ne e kuptuam që ka qenë aktiv deri në fillim të pandemisë. Ne si Komision jemi vënë në lajthitje. Ai ishte i përgatitur, por ky element për mos informim që, unë mendoj që duhet me i rekomandu Kuvendit shkarkimin e z. Musliut”, ka deklaruar Batusha.

Kryetari i Komisionit Parlamentar për Qeverisje Lokale, Administratë Publike, Zhvillim Rajonal dhe Media dhe deputeti i PDK-së, Mërgim Lushtaku, ka thënë se ai është informuar se Granit Musliu ka dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetarit të Rinisë Demokratike të Kosovës vitin e kaluar.

“Unë e kam marrë nje letër informim, ai ka dhënë dorëheqje në shtator të vitit të kaluar. Mos hyni në diskutime që nuk ju përkasin kë kam perkrahë unë”, ka shtuar Lushtaku.

Anëtari tjetër i këtij Komisioni nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, i cili po ashtu ka qenë kryesues i Komisionit ad-hoc për zgjedhjen e anëtarëve të KPM-së, Valon Ramadani, ka thënë se artikulli i publikuar nga KALLXO.com për Granit Musliun nuk lë asnjë dyshim.

“I përgëzoj KALLXO.com se e kanë bërë në atë formë lajmin sa që neve nuk na kanë lënë dyshime fare”, ka shtuar Ramadani.

Kryetari i Komisionit, Mërgim Lushtaku ka thënë se një herë duhet ta sqarojnë nëse është pozitë udhëheqëse apo ajo, pozita e nënkryetarit të Rinisë Demokratike të Kosovës.

“Unë dje e pashë si lajm në mediume, ne duhet t’i marrim informatat e duhura, e tani t’i iniciojmë procedurat. Por, pa i marrë informatat e duhura, unë po e shoh si arenë politike. Unë s’dua t’i jap avantazh dikujt pse është në politikë, por duhet të sqarohet a është pozitë udhëheqëse apo jo”, ka shtuar ai.

Lushtaku shtoi se administrata duhet të kërkojë një opinion ligjor në AKK, nëse është shkelë ligji për KPM.

Edhe deputetja e LVV-së, Arbreshë Kryeziu – Hyseni tha se duhet të kërkojnë një interpretim nga Agjencia Kundër Korrupsion.

“Ajo çka ne duhet të bëjmë është që t’i drejtohemi Agjencisë Antikorrupsion. Le ta bëjmë si Komision një kërkesë në AKK e pastaj të veprojmë”, ka përfunduar Kryeziu-Hyseni.

KALLXO.com ka gjetur se Musliu ka qenë anëtar edhe i komisionit zgjedhor në zgjedhjet e brendshme të PDK-së të mbajtura në fund të vitit 2018 dhe ka qenë aktiv në politikë duke marrë pjesë në shumë takime të PDK-së deri në vitin 2020.
Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Musliun anëtar të KPM-së së bashku me Xhevat Latifin dhe Azdra Deshiq.

KPM-ja është institucion kushtetues dhe anëtarë të saj nuk mund të jenë personat që në 2 vitet e fundit kanë qenë anëtarë të organit udhëheqës të një partie politike.

“Personat që nuk mund të jenë anëtarë të KPM-së: është anëtar i organit udhëheqës të një partie politike apo personat të cilët kanë qenë në këto pozita gjatë dy (2) viteve të fundit”, thuhet në paragrafin 4 të nenit 12 të Ligjit të KPM-së.