Pas raportimit të KALLXO.com, kërkohet hetim për tenderin 1.6 milionësh në Suharekë

Ditë më parë, KALLXO.com raportoi për tenderin 1. 6 milion euro për “ndërtimin e unazës në krahun e djathtë të Suharekës”.

Shefi i Prokurimit në Komunën e Suharekës, Bujar Kuqi, kishte anashkaluar një vendim të komisionit që ishte krijuar nga komuna për rivlerësimin e tenderit, i cili paraprakisht ishte kthyer në rivlerësim nga OShP-ja.

Kuqi kishte shpërblyer një operator ekonomik me vlerë mbi 1.6 milion euro.

Pas raportimit të KALLXO.com, ka reaguar Jeton Rrakaqi, shef i grupit të asamblistëve të PDK-së në Suharekë.

Në mbledhjen e 11 të rregullt të Kuvendit Komunal më 25 nëntor, ai ka kërkuar publikisht që të nisin hetimet për këtë tender.

Ai pati një pyetje për nënkryetaren e Komunës së Suharekës, Mihrije Suka, e cila e kishte nënshkruar një vendim të komunës i cili fliste për rivlerësimin e tenderit 1.6 milion euro.

“Këto ditë në media ka dal një shkrim për një tender, me vlerë rreth 1 milion e 600 mijë euro, ku jeni deklaruar edhe ju për KALLXO.com. Sa i përket dhënies së tenderëve, e dinë të gjithë, nuk diskutohet edhe dita ditës po dalin dëshmi. A ka mundësi me na dhanë një sqarim çka ka ndodhë rreth kësaj, pasi keni deklaruar vetë se ke nënshkruar një vendim të tillë”, tha ai.

“Rasti ka ndodhur ditën e premte, më datë 22 nëntor. Unë e kam nënshkruar një vendim për formimin e një komisioni për rivlerësim të asaj oferte, ju e dini që në mungesë të kryetarit,  të gjitha vendimet që i merr zyra e kryetarit  i nënshkruan nënkryetarja, vendimin e kam nënshkru, është procedu në zyrën e prokurimit, dhe pastaj zyra e prokurimit ka vazhduar me procedurën për të cilat unë nuk jam kompetente të ndikoj dhe të përzihem aty”, u përgjigjet ajo gjatë seancës.

“Për të tjerat gjëra, mendoj që zyra e prokurimit i kanë dhënë për KALLXO.com, nuk kam çfarë të shtoj më tutje sepse nuk është kompetencë e imja, ai e ka arsyetuar vetën ajo është përgjegjësi e zyrës së prokurimit pastaj”, tha tutje nënkryetarja Suka.

Shefi i grupit të asamblistëve të PDK-së në Suharekë, kërkoi edhe një herë që të nisin hetimet nga organet kompetente në lidhje me tenderin për ndërtimin e unazës në krahun e djathtë për Suharekë.

“Unë, prej këtu ftoj Prokurorinë dhe Policinë për Krime Ekonomike, që tenderat që kalojnë dhe kapin shifrën mbi 100 ijë euro, të hetohen, për arsye se këtu shihet që ka manipulime, prej këtu ftoj në mënyrë publike Prokurorinë  dhe Policinë që të hetoj këtë rast. Këtu ka përzierje të kompetencave, rivlerësimin e tij e bën zyra e OShP-së në Prishtinë, thjeshtë kësaj pune i ka dal era dhe i ftoj organet e hetuesisë ta hetojnë rastin”, deklaroi asamblisti i PDK-së.

Në fund, nënkryetarja tha se operatorët ekonomik kanë të drejtë ankese pesë ditë.

Shefi i Prokurimit në Komunën e Suharekës, Bujar Kuqi i ka vlerësuar i vetëm ofertat që ka pranuar për një tender në vlerë 1.6 milion euro për “ndërtimin e unazës në krahun e djathtë të Suharekës”.

Bujar Kuqi, shef i Prokurimit në Komunën e Suharekës, e ka injoruar komisionin e rivlerësimit të themeluar me vendim të kryetarit të Komunës dhe ka vendosur që t’i rivlerësoi ofertat e operatorëve ekonomik që kanë qenë në garë.

Ka qenë vetë Kuqi që me datën 21 nëntor i ka propozuar kryetarit të Komunës, Bali Muharremaj që të formojë komisionin e rivlerësimit.

I pyetur nga KALLXO.com, Kuqi thotë se kërkesën për formim të komisionit e ka bërë meqë një gjë të tillë e kërkon ligji i Prokurimit.

Por, shpejt është bërë pishman. Kuqi thotë se të nesërmen (me 22 nëntor) ka vlerësuar se nuk ka nevojë fare për një komision të rivlerësimit, meqë sipas tij, situata në këtë tender është e qartë.

Kuqi kishte marrë vendim që ta rekomandojë për kontratë konzorciumin ankues “Famis Co & KAG Asphalt” në vlerë prej 1 milion e 667 mijë euro. Për këtë tender kanë qenë në garë edhe katër biznese tjera: Konzorciumi “Bamirs & Uleza Ndertim” në vlerë 1 milion e 488 mijë euro, “Etniku” me ofertën prej 1 milion e 993 mijë euro, “Victoria Invest” me 1 milion e 738 mijë euro, si dhe kompania “ISEFERI” që kishte ofertuar 1 milionë e 946 mijë euro.

Kompania “ISEFERI” ishte rekomanduar për kontratë nga komisioni i parë vlerësues dhe ishte miratuar edhe nga Bujar Kuqi, si shef i prokurimit në Suharekë.

Kuqi thotë se situata është e qartë pas vendimit të OSHP-së.

“Komisioni i rivlerësimit është propozuar dhe ka ardhur vendimi, mirëpo unë si zyrtar përgjegjës i kam marrë kompetencat komplet qysh mi jep ligji, sepse ajo lëndë njëherë është vlerësuar njëherë prej një komisionit dhe kam vepruar në bazë të vendimit të OShP-së. Vendimin për shpalljen e operatorit 400 mijë euro më i lirë e kam marr komplet vetë”, tha ai për KALLXO.com.

Rivlerësimi i ofertave për këtë tender është bërë meqë OSHP-ja kishte konstatuar se Komuna kishte bërë shkelje ligjore kur e kishte rekomanduar për kontratë një nga ofertat më të shtrenjta për kontratë.

Sipas OSHP-së, Komisioni i vlerësimit dhe komuna e Suharekës si Autoritet Kontraktues ka bërë shkelje ligjore kur e kishte rekomanduar për kontratë OE ‘Iseferi’ në vlerë 1.9 milion euro.

Në rastet të tilla kur OSHP-ja konstaton që ka shkelje ligjore, Autoriteti Kontraktues duhet të formojë komision të ri për rivlerësim të ofertave, meqë konsiderohet se vlerësimi nis nga fillimi, pra nga pika zero.

“Nuk janë ftuar (anëtarët e komisionit të rivlerësimit), sepse është konsideruar që në bazë të vendimit të OShP-së unë mundem me e kry punën veç vetë si zyrtar i prokurimit. Për këtë ka qenë një komision vlerësues, unë e kam pasur situatën shumë të qartë”, deklaroi Kuqi.

Kuqi thotë se ligji i prokurimit ja mundëson atij që të bëjë vlerësimin e ofertave.

“Ligji thotë me formu një komision, një komision është i formuar, por lënda është kthyer në ri-vlerësim, ka mendim të ekspertit dhe konform vendimit dhe mendimit të ekspertit dhe konform vendimit të OShP-së unë kam vlerësuar atë lëndë”, thotë Kuqi.

Ai thotë se Zyrtari përgjegjës ka kompetencë me vendos për një procedurë të prokurimit.

“Çështjen e rivlerësimit nuk e cek për komision por thotë, zyrtari përgjegjës i prokurimit mund të vendos përfundimisht për një procedurë të prokurimit . Unë e kam pasur një komision unë e kam një vendim të OShP-së unë e kam një mendim të ekspertit dhe si vendim përfundimtar unë e kam marr atë”, thotë Kuqi, duke u thirr në piken 40.13 të Udhëzuesit operativ për procedurat e prokurimit publik.

Por, ky nen fletë për kompetencën që ka Zyrtari Përgjegjës i Prokurimit pasi që të pranon një raport nga Komisioni Vlerësues.

“Vendimi përfundimtar mbi dhënien e kontratës mbetet përgjegjësi e Zyrtarit përgjegjës të Prokurimit. Zyrtari përgjegjës i Prokurimit mund të pranojë rekomandimin e komisionit apo refuzojë atë. Kur refuzohet rekomandimi i komisionit, Zyrtari përgjegjës Prokurimit do të shpjegojë arsyet me shkrim. Ne situata te tilla Zyrtari përgjegjës i Prokurimit mund te nxjerr vendimin përfundimtar ose mund te formoj komision te ri për ri-vlerësim”, thuhet në nenin 43.13, i cili është në kuadër të pjesës ku flitet për formimin dhe kompetencat e komisionit vlerësues.

Kuqi e ka marrë si të mirëqenë një raport të komisionit vlerësues që OSHP-ja e ka hedhë poshtë, edhe në rastin kur nuk e ka marrë fare në shqyrtim ofertën më të lirë.

“Ai (oferta më e lirë) ka qenë i papërgjegjshëm edhe në vlerësimin e parë dhe nuk ka pasur ankesë as në vlerësimin e parë as në të dytin”, tha ai.

Kuqi thotë se kompanitë mund të ankohen prapë për këtë tender.

KALLXO.com ka provuar të kontaktoj edhe më kryetarin e Komunës së Suharekës, Bali Muharremi, por ai ka qenë i pa qasshëm në telefon.

LEXO të plotë këtu hulumtimin e KALLXO.com.

Aferë në tenderin 1.6 milion euro në Komunën e Bali Muharemajt

www.kallxo.com