Pas raportimit të KALLXO.com funksionalizohet laboratori në QMF të Fushë Kosovës
Pacientët e Komunës së Fushë Kosovës sërish e kanë në funksion laboratorin e Qendrës së Mjekësisë Familjare i cili më 30 dhjetor 2022 kishte dal jashtë funksionit.
KALLXO.com ka dal në vendin e ngjarjes më 30 dhjetor për ta konfirmuar mosfunksionimin e laboratorit, ndërkaq, pas interesimit të KALLXO.com, sot është konfirmuar se aparati është funksional që nga java e kaluar.
Këtë konfirmim e ka bërë për KALLXO.com kryeshefi i kësaj qendre Mustafa Gashi.
“Që nga java e kaluar është në funksion”- tha thënë Gashi për KALLXO.com.
Më 30 dhjetor KALLXO.com ka shkruar se qytetarët nuk kanë pasur mundësi që për analiza të drejtohen në QMF pasi laboratori ishte jofunksional.
Kryeshef i Qendrës së Mjekësisë Familjare, kishte thënë se për shkak të defektit në aparaturë përkohësisht laboratori do të jetë jashtë shërbimit për analiza.
“Sot shërbimet e laboratorit janë bërë të pamundura për shkak të një defekti në aparaturën biokimike… Në këtë laborator bëhen analizat biokimike, sheqeri analizat në urinë, për yndyra, mëlçi, etj” – tha ai.
Gashi ka theksuar se vetëm gjatë muajit dhjetor ishin dhënë shërbime laboratorike për rreth 1 mijë e 400 persona.