Gjimnazi "Haxhi Zeka" në Istog - Foto: Facebook

Pas raportimit të KALLXO.com, anulohet konkursi për sekretar të gjimnazit në Istog

Është anuluar konkursi për pozitën e sekretarit të gjimnazit “Haxhi Zeka” në Istog, ku ishte pranuar Shkodran Hajzeraj.

KALLXO.com raportoi ditë më parë se Hajzeraj është djali i ish-zyrtarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës në Istog, Bedri Hajzerajt dhe ndaj të njëjtit sipas Prokurorisë Themelore në Pejë, është duke i zhvilluar procedurë penale.

KALLXO.com e ka siguruar vendimin e Drejtorisë së Arsimit në Istog ku edhe janë përshkruar arsyet e anulimit të konkursit.

“Drejtoria Komunale e Arsimit në Istog, duke u bazuar në vendimet e Komisionit për Shqyrtim të Ankesave dhe Parashtresave, bënë anulimin e konkursit 05.Nr.121/21 të datës 22.03.2021 për pozitën sekretar në Gjimnazin “Haxhi Zeka” në Istog”, thuhet në vendimin që mban datën 16.08.2021.

Në një prononcim për KALLXO.com, drejtori i Arsimit në Komunën e Istogut, Hajrush Shoshi, ka thënë se konkursi u anulua për shkak të ankesave të kandidatëve.

Ai tha se Shkodran Hajzeraj ka të drejtë përsëri të kandidojë, sepse sipas Shoshit konkursi nuk është anuluar për shkak të tij.

“Askujt nuk i ndalet e drejta. Kjo nuk është bërë për shkak të Shkodranit, është bërë për shkak të procedurave”, shtoi Shoshi.

KALLXO.com kishte raportuar në fund të muajit të kaluar se në konkursin e shpallur nga Drejtoria e Arsimit në Komunën e Istogut, u pranua si sekretar i gjimnazit “Haxhi Zeka”, Shkodran Hajzeraj, djali i ish-zyrtarit të lartë të LDK-së në Istog, Bedri Hajzerajt.

Në një përgjigje për KALLXO.com, Prokuroria Themelore në Pejë kishte konfirmuar se mbi Shkrdran Hajzerajn aktualisht zhvillohet edhe procedurë penale për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm”.

“Për personin në fjalë, është duke u zhvilluar procedurë penale, nën dyshimin se i njëjti së bashku me disa persona të tjerë, kanë kryer veprën penale “Organizimi i skemave piramidale apo bixhozit të paligjshëm”, kishte thënë për KALLXO.com zëdhënësi i Prokurorisë së Pejës, Shkodran Nikçi.

Rreth ecurisë së procesit në të cilin Shkodran Hajzeraj u punësua si sekretar, kishte reagime nga konkurrentet e tjerë.

Blerim Ukaj ankohej se në këtë konkurs atij i është bërë padrejtësi dhe se sipas tij, që nga fillimi ishte ditur se në atë pozitë do të pranohej Shkodran Hajzeraj.

 

Anëtari i LDK-së përzgjidhet sekretar në gjimnaz, ndonëse sipas Prokurorisë ndaj tij zhvillohet procedurë penale