Foto: KALLXO.com

Pas raportimit në KALLXO.com, ATK kontrollon biznesin për të cilin u raportua se shtrenjtoi miellin

Qytetarë nga Peja kanë raportuar të enjten në KALLXO.com se një biznes po e shfrytëzonte gjendjen emergjente në të cilën është vendi për të përfituar duke e ngritur çmimin e miellit.

Sipas tyre, një thes miell i cili më parë kushtonte 10 euro po shitej 12.5 euro.

Pas pranimit të këtyre informacioneve rasti është dërguar në Administratën Tatimore të Kosovës.

Brenda një kohe shumë të shkurtër pas raportimit, inspektorët e ATK-së kanë dalë në terren për t’i verifikuar këto informacione.

Pasi kanë nisur kontrollin dhe kanë marrë të dhënat e para, inspektorët konstatuan se çmimi i një thesi me miell kushtonte 12.5 euro.

Pas përfundimit të kontrollit, inspektorët konstatuan se nuk kanë arritur të gjejnë parregullsi tk ky biznes pasi sipas udhëheqësit të ekipit, Haxhi Nimani, çmimi i blerjes së miellit është 12 euro.

“Nuk ka pasur parregullsi te ky biznes. Nuk ka pasur ngritje të çmimeve. Faturat i ka në rregull pasi faturën e hyrjes së produktit e ka 12 euro, ndërsa të shitjes 12.5”, ka thënë udhëheqësi i ekipit.

Gjatë javëve të fundit numri i raportimeve  për ngritje të çmimeve në KALLXO.com është rritur.

Vetëm në Administratën Tatimore deri me tani janë pranuar rreth 4,000 thirrje telefonike për ngritjen e çmimeve.

Pas këtyre raportimeve 246 biznese janë rekomanduar për t’u ndëshkuar pasi ATK ka konstatuar se kishin ngritur çmimet gjatë fazës emergjente.

Ditë më parë pas raportimeve në BIRN, inspektorët e ATK-së kishin konstatuar se në disa barnatore në Pejë ka diferenca në çmime.

Një produkt për të sëmurët me diabet në barnatoren e parë shitej me çmim 1.50 euro, në barnatoren e dytë 2 euro ndërsa në barnatoren e tretë me çmimin 2.20 euro

Në një barnatore tjetër në Gjilan pas raportimeve në KALLXO.com, inspektorët kishin konstatuar se një dezinfektues i duarve po shitej 7 euro.

KALLXO.com inkurajon qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë për secilën parregullsi që hasin te bizneset.

Foto: KALLXO.com