Pas raportimit në ATK dhe KALLXO.com, biznesi futet në marrëveshje për t’ua paguar Trustin punëtorëve

Një raportim anonim është paraqitur në Administratën Tatimore të Kosovës dhe në KALLXO.com dje gjatë ditës që pretendonte se një nga bizneset e ndërtimtarisë në Prishtinë nuk ua ka paguar Trustin pensional rreth 380 punëtoreve të saj për disa vite me radhë.

Ky raportim kishte ardhur një ditë pasi në debatin e KALLXO.com ishte bërë thirrje për raportimin e bizneseve që nuk ua kanë paguar kontributet pensionale punëtoreve të tyre.

Thirrja për raportim ishte bërë nga autorja e debatit Jeta Xharra dhe Ministrja e Financave Hykmete Bajrami në kohën kur po diskutohej për Ligjin për Rimëkëmbjen Ekonomike në të cilin është paraparë që të gjithë qytetarët që kanë mjete në Trust të tërheqin 10% e tyre.

E menjëherë pas këtij raportimi ka reaguar Administrata Tatimore e Kosovës e cila informacionet i kishte pranuar nga vetë ankuesi dhe nga zyra ligjore e KALLXO.com.

ATK në të njëjtën ditë ka zhvilluar një aktivitet te ky biznes në të cilin është vërtetuar pretendimi në fjalë.

Pas këtij aktiviteti, ATK ka arritur që të lidhë marrëveshje me biznesin për pagesën e kontributit pensional dhe bazës tatimore.

ATK njofton se menjëherë pasi të paguhen baza tatimore dhe kontributi pensional do të bëhet bartja e mjeteve nga ATK në Trust.

Raportimet e qytetarëve në KALLXO.com për evazion fiskal dhe punëtorë pa kontrata deri më tani kanë rezultuar me mbi 200 mijë euro gjoba.

Përpos gjobave të shqiptuara për biznese nga raportimet e qytetarëve ka pasur edhe masa disiplinore të shqiptuara ndaj zyrtarëve të ATK-së.

Pas raportimit të KALLXO.com, ATK e ndëshkon një inspektor