Pas raportimeve nga KALLXO.com, ATK shqiptoi 16 mijë euro gjoba ndaj bizneseve

Gjatë muajve korrik, gusht dhe shtator, Administrata Tatimore e Kosovës ka shqiptuar gjoba ndaj 16 bizneseve të ndryshme pas ankesave të dërguara nga ana e KALLXO.com.

Shuma totale e këtyre gjobave të shqiptuara nga ATK, kap shumën e 16 mijë eurove.

Gjatë kësaj periudhe me kërkesë të KALLXO.com, Administrata Tatimore e Kosovës ka inspektuar 17 biznese, duke përfshirë kafeteri, salla dasmash, këngëtarë, dj, kameramanë,  diskoteka dhe motele.

Gjoba në bazë të ankesave të KALLXO.com, ishin shqiptuar edhe gjatë periudhës prill – qershor 2019. Gjatë këtij tremujori ishin shqiptuar 22 gjoba ndaj bizneseve. Shuma e tyre e tejkalonte vlerën e 6 mijë eurove.

Ndërsa gjatë periudhës janar-mars në bazë të raportimeve nga KALLXO.com, ATK kishte ndëshkuar bizneset në shumë prej 27 mijë  e 975 euro.

Në këtë periudhë ishin inspektuar 17 biznese duke përshirë, lojëra të fatit, restorante, kompani të autobusëve dhe kurse të gjuhëve, pas kontrollit të të cilave ATK pati shqiptuar 20 gjoba.

KALLXO.com inkurajon qytetarët që të vazhdojnë të raportojnë të gjitha rastet në të cilat hasin parregullsi, me qëllim që të luftohet korrupsioni, evazioni fiskal dhe ekonomia joformale.