Foto: KALLXO.com

Pas raportimeve në KALLXO.com, inspektorët tatimorë kontrollojnë autobusët e 30 kompanive

Me një plan të gjerë operativ, 9 inspektorë tatimorë të pozicionuar në tri hyrjet kryesore të Prishtinës dhe të asistuar nga njësitë policore, kanë zhvilluar një seri kontrollesh në 30 kompani autobusësh gjatë ditës së sotme.

Kontrolli u zhvillua pasi dhjetëra qytetarë kishin raportuar në KALLXO.com dhe në Administratën Tatimore të Kosovës se nga këto kompani nuk po marrin kupon fiskal.

Qëllimi i tri ekipeve të inspektorëve ishte të verifikohen informacionet e raportuara nga qytetarët.

Informacionet se këto biznese po u shmangen detyrimeve tatimore dhe nuk po lëshojnë kupon fiskal, dolën të jenë të sakta.

Në shumicën e autobusëve të kontrolluar u konstatuan parregullsi tatimore.

Foto: KALLXO.com

Inspektorët konstatuan se mbi 100 udhëtarë nuk ishin të pajisur me kupon fiskal. Në të njëjtën kohë u konstatuan edhe biznese të papajisura me arka fiskale si dhe punëtorë të padeklaruar.

Për të gjitha këto parregullsi, bizneseve të kontrolluara iu bë me dije se do të ndëshkohen sipas rregullave tatimore.

Aktivitet i ngjashëm kontrolli muaj më parë ishte kryer edhe në komunën e Gjilanit.

Dhjetëra kompani të autobusëve ishin kontrolluar. Rezultati ishte i njëjtë. Pothuajse në të gjitha kompanitë kishte parregullsi tatimore.

Gjilan, pas raportimit në KALLXO.com, inspektorët gjejnë parregullsi te kompanitë e transportit