Pas qindra dorëheqjeve, vetëm 98 kandidatë për policë në veri pritet t’i nënshtrohen intervistimit këtë muaj

Kliko këtu, bashkohu në grupin e KALLXO në Viber dhe informohu në kohë reale me lajmet kryesore gjatë ditës

Pas dorëheqjes së qindra zyrtarëve policorë të nacionalitetit serb në komunat në veri të vendit, policia për disa herë nga disa ditë, zgjati konkursin për pranim të aplikimeve në lidhje me situatën e krijuar atje.

Numri i atyre që do të nisin procedurat e radhës të testimeve dhe trajnimeve nuk arrin as shifrën 100.

Nga 141 aplikimet, 98 prej tyre pritet t’i nënshtrohen këtë muaj intervistimit me gojë. Kjo pasi që të njëjtit kaluan testimet e shkathtësive fizike dhe dolën mirë me rezultate.

listat e publikuara nga Policia, 3 nuk e kanë kaluar testimin, një me arsyetimin e problemeve shëndetësore dhe dy të tjerë nuk ishin paraqitur në testim.

Policia e Kosovës në konkursin e fundit ka kërkuar kandidatë për zyrtarë policorë të komuniteteve pakicë që jetojnë në Kosovë, vendi i punës do të jetë në Mitrovicën Veriore dhe tri komunat tjera ne veri.

Në këtë konkurs ani pse zgjati disa ditë shtesë aplikuan vetëm 141 kandidatë.

Nga aplikimet sipas dokumenteve zyrtare të publikuara në ueb-faqen e Policisë së Kosovës, 98 prej tyre kanë kaluar testimet e shkathtësive fizike.

Procesi i intervistimit me gojë pritet të nis në datat 13 dhe 14 e këtij muaji, më pas pritet të bëhet edhe rekrutimi i tyre.

Deri te konkursi i Policisë së Kosovës për pjesën veriore të Mitrovicës erdhën dorëheqjet që u dhanë nga atje.

Në nëntor të vitit të kaluar, Policia e Kosovës ka pranuar 573 dorëheqje të zyrtarëve në katër komunat në veri, Mirtovicën Veriore, Leposaviqin, Zveçanin dhe Zubin Potokun.

Përveç këtij numri të dorëheqjeve, ky institucion ka marrë vendim edhe për largimin nga puna të ish-Drejtorit të Policisë në Mitrovicën Veriore, Nenad Gjuriq.

Kjo pasi që ky i fundit nuk kishte ofruar dorëheqjen me shkrim, ndërsa fillimisht ishte suspenduar nën dyshimet se kishte bërë shkelje disiplinore për mohim të kryerjes së detyrave të përcaktuara.

Pas suspendimit të Gjuriqit, qindra zyrtarë të institucioneve të ndryshme në katër komunat me shumicë serbe në veri janë dorëhequr.

Policët e dorëhequr u zëvendësuan me zyrtarë policorë shqiptar të regjioneve të tjera të cilët kryenin detyrat e tyre zyrtare në stacionet policore që gjenden në veri.

Disa javë më pas, Policia e Kosovës më 4 janar kishte shpallur konkurs për pranimin e zyrtarëve policorë nga radhët e komunitetit serb, boshnjak, turq, goran, rom, ashkali, egjiptas, kroat, malazez dhe maqedonas.

Përmes një njoftimi, Polica ka bërë të ditur se vendi i punës do të jetë Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicën e Veriut.

Konkursi në fjalë ishte paraparë që të mbetej i hapur deri më 26  janar, mirëpo në po të njëjtën ditë, nga ana e Policinë ishte njoftuar se afati për aplikim do të zgjatej edhe për 10 ditë të tjera.

Për të njëjtin konkurs që ishte i hapur deri më 10 shkurt 2023, Policia kishte publikuar një njoftim ku është thënë se janë duke vazhduar me kampanja sensibilizuese për konkursin e hapur për komunitetet pakicë.

“Policia e Kosovës, përmes video mesazheve, fushatave sensibilizuese dhe takimeve zyrtare që po mbahen në të gjitha rajonet, vazhdon t`i inkurajojë dhe ftojë qytetarët e të gjitha komuniteteve pakicë që të aplikojnë dhe të bëhen pjesë e Policisë së Kosovës” – thuhej në njoftim.

Tutje është thënë se këtë kampanjë e kanë përkrahur edhe personalitete të larta nga institucione të ndryshme ndërkombëtare.