ARKIV - Nenad Rikallo

Pas punësimit në Qeverinë e Serbisë, Osmani e shkarkon Rikallon nga KQZ (DOKUMENT)

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes, Vjosa Osmani ka njoftuar se ka marrë vendim që të ia ndërpresë mandatin në KQZ, përfaqësuesit të Listës Serbe, Nenad Rikallos.

Këtë vendim, Osmani tha se e ka marrë për shkak se Rikallo ka marrë pozitë të lartë në Qeverinë e Serbisë.

“Sot, në përputhje me kompetencat kushtetuese dhe legjislacionin në fuqi ia kam ndërprerë mandatin e përfaqësuesit të Listës Serbe në KQZ, Nenad Rikalo, meqë ai ka marrë pozitë të lartë në të ashtuquajturën “Zyre për Kosovën në Qeverinë e Serbisë’”, ka shkruar Osmani në Facebook.

Osmani thotë se Rikalo ka shkelur integritetin e KQZ-së dhe ka vënë në rrezik kushtetutshmërinë e këtij institucioni.

“Zyrtarët e emëruar në institucionet publike të Republikës së Kosovës kanë obligim primar t’i qëndrojnë besnik Kushtetutës sonë, Republikës sonë dhe institucionit ku ata punojnë. Duke u angazhuar në një pozicion publik në Qeverinë e Serbisë, Z.Rikalo ka shkelur integritetin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në Kosovë, betimin e dhënë me rastin e emërimit si dhe ka vënë në rrezik kushtetushmerinë e funksionimit të këtij institucioni”, ka shkruar Osmani.

Osmani i ka kërkuar Listës Serbe që të propozojnë një anëtar të ri për t’i përfaqësuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, duke ua bërë me dije se nuk do të dekretoj emra që janë të angazhuar në pozita brenda qeverisë së Serbisë.

Kjo është hera e dytë që Nenad Rikallo shkarkohet nga detyra në institucionet e Kosovës.

Ai ishte shkarkuar edhe nga ish kryeministri Ramush Haradinaj, nga pozita e ministrit të Bujqësisë për shkak të akuzave publike se gjatë kohës së luftës në Kosovë, Nenad Rikallo kishte keqtrajtuar civilë shqiptarë.

Ish-ministri në Qeverinë e Kosovës dhe anëtari aktual i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të Kosovës, Nenad Rikalo, është emëruar si ndihmës i përkohshëm i shefit të Zyrës së Kosovës sipas një vendimi të Qeverisë së Republikës së Serbisë.

 

Vendimi për shkarkimin e Nenad Rikallos nga KQZ