Vetëvrasja e policit, IPK nisë hetime pas raportimit të Kallxo.com

Në emisionin e javës së kaluar në “Drejtësia në Kosovë” u transmetua zbulumi se si një doktoreshë kishte paralajmëruar eprorin e Stcionit Policor në Shtime se polici Muhamet Feka për shkak të gjendjes jo të mirë psikike mund të kryente ndonjë akt të dhunshëm.

Në lidhje me dëshmitë që kishte paraqitur “Drejtësia në Kosovë”, tani më Inspektorati Policor i Kosovës ka filluar të mbledh edhe provat dhe shkresat e rastit.

Një gjë të tillë e kanë konfirmuar për KALLXO.com edhe Zyra për Informim e IPK-së.

“Pas publikimit të emisionit në media, IPK respektivisht hetuesit e Deprtamentit të hetimeve kanë kontaktuar me zyrtarë të Policisë së Kosovës dhe kanë kërkuar kopjen e rastit dhe të gjitha shkresat lidhur me rastin.  Të njëjtat do të analizohen nga IPK në konsultim me prokurorin kompetent”, thuhet në përgjigjen e IPK-së për KALLXO.com.

IPK fillimisht ka thënë për KALLXO.com se në lidhje me rastin kur kishte ndodhur nuk kishin pranuar ndonjë shkresë apo informacion nga Policia e Kosovës lidhur me ngjarjen.

Emisioni i së premtes së javës së kaluar “Drejtësia në Kosovë” transmetoi një zbulim ku një doktoreshë tregon se si kishte kryer disa kontrolle ndaj ish- policit të Stacionit Policor në Shtime, Muhamet Feka dhe kishte rekomanduar që t’i merrej arma.

Kjo për arsye se i njëjti sipas oktoreshës për shkak të simptomave të ç’rregullimit psikik mund të kryente ndonjë akt të dhunshëm.

Informata i ishte dhënë policisë nga ana e doktorëshës më 29 qershor të vitit 2016. Policia nuk kishte reaguar në kohë ndërsa një ditë më pas e kishin ftuar policin për të bërë disa ekzaminime mjekësore.

Ish- polici Feka ishte arsyetuar se për shkak të një çështjeje familjare nuk mund të shkonte për ekzaminime mjekësore atë ditë dhe nuk ishte lajmëruar më pas.

Po të njëjtën ditë, më 30 qershor 2016 rreth orës 22 në mbrëmjë, ish- polici Feka kishte kryer vetëvrasje në shtëpinë e tij. Vetëvrasja ishte kryer me armë zyrtare, ashtu siç kishte paralajmëruar doktoresha.

Prokuroria Themelore në Ferizaj ka thënë për “Drejtësia në Kosovë” se në shkresat e lëndës nuk kanë pasur një informacion të tillë ndërsa rasti ishte mbyllur duke mos gjetur asnjë element të veprës penale.

Vetë Policia e Rajonit të Ferizajt kanë konfirmuar se kishin pranuar një informacion të tillë nga ana e doktoreshës Ardiana Isufaj dhe se ish- polici ishte ftuar një ditë më vonë për ekzaminime mjekësore.