
LAJMI I FUNDIT - Policia KS2
Pas plagosjes në Lagjen Arbëria pati edhe bastisje në shtëpinë e personit që u identifikua si i dyshuar
Shtëpia e të dyshuarit Sh.H, në Podujevë është bastisur ndërsa ekipet policore nuk kanë gjetur diçka të dyshimtë tek ai deri sa i njëjti nuk është hasur askund dhe vazhdon të jetë në kërkim nga organet e rendit.
Bastisja u krye pas identifikimit të të dyshuarit për plagosjen që u regjistrua më 03.01.2025 në Lagjen Arbëria në Prishtinë.
KALLXO.com mëson se pak orë pas ngjarjes që u regjistrua me urdhër të prokurorit kujdestar të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, u krye edhe bastisje në shtëpinë e të dyshuarit në Podujevë.
Policia kishte njoftuar prokurorinë se nuk ka gjetur asgjë të dyshimtë në shtëpi.
I dyshuari është vendosur në kërkim policor dhe aktualisht policia është duke hetuar rastin.
Rasti është iniciuar si vrasje në tentativë.
Një person është plagosur mbrëmë më 03.01.2025 rreth orës 18:30 në Lagjen Arbëria në Prishtinë.
Policia ka dhënë detaje në lidhje me plagosjen që ndodhi ndërsa ka njoftuar edhe se i dyshuari ndonëse është identifikuar vazhdon të jetë në kërkim nga njësitet policore.
Viktima në këtë rast për të cilin KALLXO.com kishte marrë vesh se ka inicialet F.J, sipas policisë është plagosur në shpinë me armë zjarri.
Sh.H., sipas policisë dyshohet se ka gjuajtur me armë në drejtim të viktimës më pas është larguar nga vendi i ngjarjes.
Pas marrjes së informacionit se në Lagjen Arbëria ka të shtëna armësh, njësitet policore relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes.
Aty kanë gjetur dhe sekuestruar pesë gëzhoja.
Viktima është dërguar për tretman mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës ndërsa mjeku kujdestar Adem Jaha, i ka thënë KALLXO.com se nga salla operative ishte dërguar në kujdes intensiv duke shtuar se pacienti ka qenë në rrezik për jetë
Në anën tjetër zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci ka thënë për KALLXO.com se përvec të dyshuarit, janë identifikuar edhe dy vetura të cilat u përkasin të përfshirëve në plagosjen që ndodhi në Lagjen Arbëria në Prishtinë.