Pas pezullimit të punimeve në rrugën Deçan-Plavë, Bahtiri pyet: Ku është qeveria e Kosovës?

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore, Agim Bahtiri ka reaguar pasi kryeministri i vendit, Avdullah Hoti urdhëroi pezullimin e punimeve në rrugën Deçan-Plavë.

Me anë të një postimi në Facebook, Bahtiri ka pyetur ku është Qeveria e Kosovës?.

Ai ka përmendur pezullimin e punimeve në Deçan po edhe disa punime në lumin Ibër të Mitrovicës.

“Është skandaloze se si Qeveria e Kosovës po heshtë përball ndërhyrjeve të Serbisë që i bën vazhdimisht në vendin tonë. Ndalja e punimeve për rregullimin e rrugës në Deçan është kulmi i veprimeve që po bëhen me dirigjim të Serbisë. Është e papranueshme se si kjo Qeveri ka heshtur edhe për ndalimin e punimeve në lumin Ibër në Mitrovicë, projekt i cili është në të mirë të të gjithë qytetarëve dhe është investimi më i madh kapital në Mitrovicë”, ka thënë Bahtiri.

Ai ka thënë që qeveria Hoti është e shantazhuar nga Lista Serbe.

“Qeveria në vend se ta ndihmoj Mitrovicën në këtë projekt dhe projekte të tjera për integrimin e qytetit, ajo madje ma ka përgjysmuar buxhetin për investime. Një Qeveri me mandat të vjedhur si kjo e tanishmja, nuk ka guxim për të vepruar, pasi që është e shantazhuar nga Lista Serbe”, ka thënë ai.

Sot gjatë ditës pati reagime pasi u pezulluan punimet në rrugën që lidhë Deçanin me Plavën.

Punimet në rrugën Deçan-Plavë u ndërprenë me kërkesë të kryeministrit, rinisin të hënën

www.kallxo.com