Pas pezullimit të konkursit, Sindikata e KEK-ut paralajmëron greva

Nënkryetari i Sindikatës së Re të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nexhat Llumnica, ka paralajmëruar greva, pas pezullimit të konkursit për 171 vende pune në KEK, nga ana e Bordit të Përkohshëm të kësaj Ndërmarrje publike.

Llumnica ka shkruar në ‘Facebook’ se të gjitha qeverisjet në Kosovë që nga paslufta nuk kanë lejuar zhvillimin e kompanive publike, e që sipas tij, tash kanë filluar përgatitjet për falimentimin e KEK-ut, ku ka përmendur shkarkimin e tri bordeve brenda vitit 2020.

“Tani kur KEK-u ka mungesë të mbi 1 mijë punëtorëve, pezullohet konkursi për pranimin e punëtorëve të rinjë, madje pas testimit të tyre që vërtetë është e palogjikshme dhe maltretim ndaj qytetarëve që kanë konkuruar dhe tashmë testuar”, ka shkruar Llumnica.

Sipas tij, KEK-u rrezikon të ketë mungesë të madhe të punëtorëve e gjithashtu mund të rrezikohet procesi i prodhimit të energjisë elektrike.

“I bëjmë thirrje bordit të KEK-ut që t’i stimulojë punëtorët ashtu sikur punëtorët shëndetësor, marrë parasysh mungesën e punëtorëve dhe rrezikun për shëndetin e tyre në këtë kohë pandemie. Përndryshe, ne jemi të detyruar t’i realizojmë kërkesat tona përmes veprimeve sindikale, deri te greva”, ka shkruar në fund Llumnica.

Bordi i Përkohshëm i drejtorëve të KEK-ut sot ka mbajtur mbledhjen e parë zyrtare, të kryesuar nga Musa Misini dhe drejtorët Petrit Ibraj, Fadil Hoxha dhe Fatime Grajqevci.

Në këtë mbledhje është vendosur që të pezullohet konkursi për 171 vende pune.

Pezullohet konkursi për 171 vende pune në KEK