Pas peticionit të banorëve, Kuvendi Komunal i Mitrovicës do t'i drejtohet Ministrisë së Ambientit, për pezullimin e punës së gurthyesit “Lirigzoni”

Komuna e Mitrovicë në mbledhjen e asamblesë së sotme ka shqyrtuar peticionin e banorëve të fshatit Kçiq i Madh për ndalimin e punës se gurëthyesit “Lirigzoni”.

Banorëve të fshatit Kçiq i Madh, kanë kërkuar nga komuna ndërmarrjen e masave urgjente për ndalimin e punës së Operatorit Ekonomik Gurëthyesi “Lirigzoni” me arsyetim se është shkatërruar infrastruktura rrugore, po bëhet ndotje e ambientit, dëme në shtëpi nga detonimet e fuqishme dhe sistematike dhe shkaktimi i panikut tek fëmijët.

Fatmir Salihu kryetar i këshillit të fshatit Kçiq i Madh, prezent në mbledhjen e Kuvendit, kërkoi ndërmarrjen e masave.

“Sa më shpejtë që është e mundur me ju ndalu puna gurëthyesit në të kundërtën kemi me dal me blloku magjistralen Mitrovicë – Prishtinë, atë pa dëshirën tonë por me zor, s’kemi tjetër rrugëdalje“, ka thënë Salihu.

Në anën tjetër përveç dy anëtarëve, pjesa tjetër e Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës nuk ishin të pranishëm në sallë gjatë këtij diskutimi, e për të cilët Salihu u shpreh i pakënaqur duke thënë se për të kërkuar votën po shkojnë edhe në këtë fshatë.

Kurse kryetari i komunës së Mitrovicës, Agim Bahtiri ka thënë se ka krijuar një komision komunal për të vlerësuar gjendjen, pasi siç ka thënë ai, leja për punën e këtij gurëthyesi nuk është dhënë nga komuna.

“Ne kemi pasur një takim të përbashkët dhe jemi ulur kemi diskutuar se si mundemi këtë shqetësim të ju ndihmojmë që ta zgjedhim në mënyrë institucionale. Ju e dini që prej 2013 asnjë gurëthyesit nuk i kam dhënë leje, edhe ajo tokë që është dhënë në shfrytëzim deri në 2026…e kam bërë një komision komunal por kemi kërkuar edhe nga këshilli i pavarur i minierave dhe mineraleve për shkak se ata kanë dhënë lejen për këtë gurëthyes. Ata kanë kërkuar që në komisioni e tyre të jetë edhe komisioni ynë i përbashkët dhe brenda 15 ditëve të ju dërgohet kryetarit, në bazë të këtij raporti unë do të ju drejtohem Ministrisë se Ambienti për shqetësimet e juaja dhe pezullim të lejes…ne nuk e kemi lëshuar lejen por e ka lëshuar Këshilli i Pavarur i Minierave dhe Mineraleve por bashkërisht me ta ne do ta shqyrtojmë…”, tha Bahtiri.

Izet Tahiri nga Lëvizja Vetëvendosje ka thënë se Grupi i tyre Parlamentar kishin qenë në vend ngjarje dhe kishin parë që kërkesat e banorëve ishin plotësisht të arsyeshme.

Ndërsa Flutra Beka nga Lidhja Demokratike e Kosovës ka thënë se kërkojnë që të formohet një komision për verifikimin e të gjitha dëmeve dhe të zgjidhet një rekomandim së bashku me ekzekutivin për zgjedhjen e të gjitha problemeve të këtyre banorëve.

“Unë jam në përkrahje të plotë për kërkesat e banorëve të fshatit Kçiq“, u shpreh edhe Remzi Rrahmani nga PDK i cili ishte prezent në sallë.

Asambleja e Mitrovicës ka votuar dhe me njëzetë vota për, duke miratuar rekomandimin për t’ju drejtuar Ministrisë se Ambientit për të ndërmarrë veprime lidhur me gurëthyesin dhe të pezullohet puna.