Pas paralajmërimit se do dërgojnë shumë çështje në Prokurorinë e Shtetit, Kryetari i Bordit të RTK-së pritet në takim nga Kryeprokurori Lumezi

Kryeprokurori i shtetit, Aleksandër Lumezi ka zhvilluar takim me kryetarin e bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Besnik Boletinin, ushtruesin e detyrës së drejtorit të RTK-së, Shkumbin Ahmetxhekaj si dhe disa anëtarë të bordit.

Në njoftimin e prokurorisë thuhet se kryeprokurori Lumezi ka shprehur gatishmëri institucionale për të  bashkëpunuar në adresimin e të gjitha shqetësimeve lidhur me shkelje eventuale ligjore që mund të ketë ndodhur në RTK.

Ditë më parë, kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini gjatë raportimit të tij në Komisionin Parlamentar për Media ka deklaruar se kanë shumë çështje të cilat pritet që t`i dorëzonë në Prokurorinë e Shtetit, për shkak të dyshimeve për keqpërdorime në RTK.

Komunikata e Prokurorisë:

Kryeprokurori i Shtetit priti në takim Kryetarin e bordit të RTK-së si dhe u.d Drejtorin e Përgjithshëm

Prishtinë, 8 shkurt 2022 – Kryeprokurori i Shtetit, Aleksandër Lumezi, i shoqëruar nga Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Kujtim Munishi, ka pritur në takim Kryetarin e ri të Bordit të Radio Televizionit të Kosovës (RTK), Besnik Boletini së bashku me disa anëtarë të këtij bordi, si dhe u.d Drejtorin e Përgjithshëm, Shkumbin Ahmetxhekaj.

Gjatë këtij takimi, Kryeprokurori Lumezi shprehi gatishmërinë institucionale për të bashkëpunuar me bordin e ri të RTK-së dhe me u.d Drejtorin e Përgjithshëm në adresimin e të gjitha shqetësimeve lidhur me çfarëdo shkelje eventuale ligjore që mund të ketë ndodhur në RTK.

Po ashtu, palët patën diskutime konstruktive dhe konkrete për intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional.

 

Boletini: RTK nuk do të blejë më emisione informative, do t’i prodhojmë vetë