Pas Noizyt, Policia e Kosovës kërkon ndihmë nga qytetarët për ta lokalizuar edhe Stresin

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për të lokalizuar dhe rrjedhimisht arrestuar këngëtarin nga Shqipëria, Arkimed Lushaj, i njohur si Stresi.

Kjo kërkesë e Policisë në Pejë vjen një ditë pasi kërkoi bashkëpunimin e qytetarëve për të lokalizuar këngëtarin tjetër nga Shqipëria, Rigels Rajkun, i njohur si Noizy, si dhe Bahtjar Bajraktarin, shtetas i Kosovës.

Përderisa Rajku e Bajraktari po kërkohen për veprën penale – lëndim i rëndë trupor, Lushaj dyshohet për ndihmë në kryerjen e veprës penale – lëndim i rëndë trupor.

Ashtu si Noizyt dhe Bajraktarit, Policia i ka publikuar fotografinë e Lushajt.

“Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personit të dyshuar në foton e bashkangjitur, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 06.08.2024.

Numrat e telefonit dhe adresat elektronike kontaktuese për të kontaktuar Policinë e Kosovës janë: 192 dhe 080019999 (pa pagesë), 039 432 327-  Drejtoria Rajonale Pejë dhe në e-mail adresën: [email protected].

Në anën tjetër, reperi nga Shqipëria Noizy ka reaguar sot, më 06.08.2024, duke thënë se nuk është në arrati e se në këtë rast është viktimë e një kallëzimi të rremë.

“Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatik si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero” – tha Noizy në reagimin e tij.

Ai tutje shtoi se po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë të cilën pretendon që është duke u bërë ndaj tij.

“Dua të bëj me dije dhe garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrsesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë” – tha reperi.

Ai tutje shtoi se bashkë me studio të avokatisë do të kontribuojnë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj tij.

Krejt në fund ai shtoi se është viktimë e kallëzimit të rremë dhe nuk ka asnjë lidhje me rastin.