Pas njoftimit nga KALLXO.com, mbushet shishja me dezinfektues në Fakultetin e Bujqësisë (VIDEO)

Gjatë monitorimit në Fakultetin e Bujqësisë dhe Veterinarisë të Universitetit të Prishtinës, për respektimin e masave anti-COVID, KALLXO.com ka gjetur se shishja me dezinfektues, e vendosur në hyrje të Fakultetit, ishte e zbrazët.

Me të evidentuar mungesën e dezinfektuesit, KALLXO.com ka njoftuar dekanin e Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë, Bedri Dragusha dhe e ka pyetur në lidhje me mungesën e dezinfektuesit, i cili përdoret nga stafi dhe studentët.

Dragusha ka thënë se nga ana e tij nuk është vërejtur mungesa dhe mbushja e shishes me material dezinfektues do të bëhet menjëherë pas njoftimit të KALLXO.com.

“Nuk është vërejtur, çdo ditë në mëngjes bëhet mbushja me material dezinfektues dhe për shkak se nga dita në ditë numri i studentëve është i ndryshëm, mund të jetë harxhuar”, ka thënë Dragusha.

Në prezencën e monitorueses së KALLXO.com, dekani Bedri Dragusha ka bërë mbushjen e shishes me material dezinfektues.

Që nga muaji nëntor i vitit 2020, KALLXO.com është duke monitoruar respektimin e masave anti-COVID nëpër 7 universitetet publike të Kosovës.

Fillimi i vitit akademik 2020/2021 i gjeti studentët larg fakulteteve për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës, sipas të cilit, procesi mësimor në të gjitha institucionet e arsimit të lartë, publik dhe privat duhet të organizohej në formën online.

Por me këtë vendim ishte paraparë që provimet, puna praktike dhe laboratorike të organizohen duke respektuar masat e përcaktuar në “Manualin për mbrojtje nga përhapja COVID-19”.

Pak pa filluar semestri i dytë i vitit akademik, më 11 shkurt, Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që studentët të mos e mbajnë më mësimin online por të vazhdojnë mësimin fizikisht nëpër objektet e fakulteteve.

Coronavirusi apo COVID-19 është sëmundje ngjitëse e cila transferohet te tjetri përmes spërklave të cilat përhapen në ajër përmes të folurit, kollitjes apo teshtitjes. Ky virus nisi të përhapet në fund të vitit 2019.

Pikëpamjet e shprehura në këtë publikim janë të BIRN dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohen si qëndrim i Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.