Foto: KFOR
Pas misionit të suksesshëm 45-ditor, Forca Strategjike Rezervë e KFOR-it largohet nga Kosova
Forca Strategjike Rezervë (SRF) e KFOR-it, e dislokuar nga Mbretëria e Bashkuar, pas përfundimit të misionit 45-ditor në mbështetje të KFOR-it për të kontribuar për një mjedis të qetë dhe të sigurt për të gjithë njerëzit që jetojnë në Kosovë, është larguar sot, më 28.10.2024, nga Kosova.
Kështu ka bërë të ditur KFOR më 28.10.2024, përmes një njoftimi për media.
Sipas KFOR-it, ky dislokim ka përfshirë si SRF ashtu edhe Forcën Rezervë Aleate (ARF) dhe ka përfshirë një sërë detyrash, të tilla si patrullimet rutinë dhe misionet e zbulimit, disa prej të cilave u zhvilluan përgjatë kufirit Kosovë-Serbi.
KFOR-i ka falënderuar të gjitha komunitetet për mirëkuptimin e tyre dhe ka thënë se do të bëjë të pamundurën për të minimizuar çdo ndikim të mundshëm në jetën e tyre të përditshme.
“Këto lëvizje janë thelbësore për rishpërndarjen e sigurt dhe të rregullt të forcave tona. Udhëheqja e KFOR-it shpreh mirënjohjen për përkushtimin dhe profesionalizmin e SRF-së gjatë këtij misioni, i cili ka forcuar mandatin paqeruajtës të NATO-s”- thuhet në njoftim.
Një kontingjent prej mbi 300 trupash nga Mbretëria e Bashkuar më 18.09.2024 u vendosën përkohësisht në Kosovë për të kryer një sërë aktivitetesh stërvitore, së bashku me trupat e tjera të KFOR-it.
KFOR-i vazhdon të zbatojë mandatin e tij – bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999 – për të kontribuar në një mjedis të sigurt dhe të qetë për të gjithë njerëzit dhe komunitetet që jetojnë në Kosovë dhe lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
KFOR-i është reaguesi i tretë i sigurisë pas Policisë së Kosovës dhe Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit (EULEX), me të cilët punon në koordinim të ngushtë.
Britania dislokon trupa në Kosovë, do të stërviten me KFOR-in