Pas miratimit të buxhetit, Hoti premton rimëkëmbjen ekonomike

Kryeministri i vendit, Avdullah Hoti, pas miratimit të rishikimit të buxhetit për vitin 2020 në Kuvend, duke shkruar në ‘Facebook’, ka premtuar që sa më parë do të niset zbatimi i masave për rimëkëmbjen ekonomike.

Sipas tij, përfitues të kësaj pako do të jenë qytetarët dhe bizneset.

“Urime të gjithëve për miratimin e rishikimit te buxhetit. Falënderoj deputetët e koalicionit qeverisës dhe të opozitës, që me votën e tyre sot ia dhanë dritën e gjelbër Qeverisë së Kosovës për aplikimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, ku përfitues do të jenë qytetarët dhe bizneset”, ka shkruar Hoti.

Po ashtu, ai është zotuar për transparencë të plotë gjatë zbatimit të këtyre masave.

“Sa më parë do të nisim zbatimin e masave për rimëkëmbje ekonomike, duke garantuar transparencë të plotë dhe koordinim me të gjithë akterët e tjerë, komunat, odat ekomomike, partnerët zhvillimorë”, ka shkruar në fund kryeministri.

Sot në Kuvend me 72 vota pro , asnjë kundër dhe asnjë abstenim është miratuar në lexim të dytë rishikimi i buxhetit për vitin 2020.

Miratohet rishikimi i buxhetit 2020