Pas më shumë se një viti, Gjykata tenton të mbajë seancën ndaj Ukë Rugovës

14 janari i viti të kaluar ishte data e fundit e mbajtjes së seancës gjyqësore ndaj Ukë Rugovës dhe të tjerëve për skandalin me viza italiane.

KALLXO.com ka pranuar informacion zyrtar nga Gjykata e Prishtinës se seanca gjyqësore për këtë rast është caktuar të mbahet më 11 mars 2021.

Gjyqtarja e cila pritet ta gjykojë këtë rast është Fatime Dërmaku.

Para Dërmakut ky rast kaloi nëpër duar edhe të gjyqtarëve të EULEX-it,  e më pas edhe gjyqtares Naime Krasniqi – Jashanica, por asnjëri prej tyre nuk mundi ta çojë deri në fund këtë gjykim.

Aktakuza  për këtë rast është ngritur nga Prokuroria Speciale më 16 maj të vitit 2016 dhe ndonëse kanë kaluar afro 5 vite ky rast ende nuk ka një epilog.

Kujtojmë se Ukë Rugova dhe të tjerët ishin deklaruar të pafajshëm  në seancën e mbajtur më 11 janar të vitit 2017.

Ukë Rugova, ish-ministri Astrit Haraqija, Qefser Baholli, Izet Beqiri dhe Florian Petani akuzohen se në bashkëpunim me 15 të akuzuar të tjerë ndërtuan një skemë e cila kundërligjshëm u siguroi të paktën 500 personave viza italiane.

Në këtë proces gjyqësor janë gjithsej 20 të akuzuar, mirëpo për pesë të lartcekurit është veçuar procedura për qëllim të ekonomizimit duke u njohur si rasti “Ukë Rugova 1”, ndërsa për 15 të akuzuarit e tjerë procesi gjyqësor njihet si “Ukë Rugova 2”.

Lidhur me këtë proces penal nga Prokuroria Speciale janë propozuar 178  dëshmitarë, 70 prej te cilëve kanë të bëjnë me rastin “Ukë Rugova 1”.

Po ashtu edhe të akuzuarit e tjerë të këtij procesi penal të ndarë në “Ukë Rugova 2” janë deklaruar të pafajshëm.