Pas mbledhjes së Kryesisë, Vjosa Osmani mban konferencë në orën 16

Dy orë pas kohës kur është thirrur mbledhja e Kryesisë së Kuvendit, kryeparlamentarja Vjosa Osmani do t’u drejtohet mediave në një konferencë.

Siç njofton Kuvendi, konferenca do të mbahet në orën 16:00 në oborrin e Kuvendit.

“Ju njoftojmë se konferenca e zakonshme pas mbledhjes të Kryesisë së Kuvendit, e kryeparlamentares Vjosa Osmani, sot do të mbahet në orën 16:00, në oborrin e Kuvendit (nga hyrja e deputetëve – holli i Kuvendit)”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, sipas njoftimit, për shkak të masave të ndërmarra për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19, nuk do të ketë pamje në fillim të mbledhjes.

“Mirëpresim përfaqësuesit e mediave në orën 16:00, në oborrin e Kuvendit”, përfundon njoftimi.

Kryesia e Kuvendit të Kosovës pritet të mblidhet sot për ta shqyrtuar mocionin e mosbesimit ndaj qeverisë, inicuar nga LDK-ja.

Kjo mbledhje në rend të ditës e ka vetëm një pikë: “1. Mocioni i mosbesimit ndaj Qeverisë së Republikës së Kosovës, propozuar nga Grupi Parlamentar  i LDK-së, mbështetur nga 44 deputetë”, thuhet në njoftim.

Kuvendi i Kosovës përmes një letre zyrtare dje i ka kërkuar opinion profesional Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, për mundësinë e mbajtjes së seancës për mocionin e mosbesimit, për shkak të COVID – 19, nga i cili deri më tani janë konfirmuar 33 raste.

Lidhur me këtë çështje, KALLXO.com dje gjatë ditës i ka dërguar pyetje IKShPK-së, por deri në publikimin e këtij artikulli nuk ka pranuar përgjigje.

Grupi Parlamentar i LDK-së të premten e kaluar i ka dorëzuar në Kuvendin e Kosovës, mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë Kurti.

Sipas procedurave të legjislativit, ky mocion duhet të shqyrtohet në seancë, jo më vonë se deri të mërkurën e kësaj jave.

Përderisa Kosova po përballet me pandeminë botërore të virusit Covid–19, vendi tashmë ka hyrë në një krizë politike që shpërtheu me paralajmërimin për rrëzimin e qeverisë përmes një mocioni të mosbesimit nga partneri qeverisës i Lëvizjes Vetëvendosje, Lidhja Demokratike e Kosovës.

Shkarkimi i Agim Veliut – njëri prej zyrtarëve më me ndikim në LDK, nga pozita e ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike, nga ana e kryeministrit Albin Kurti, pasoi me vendimin e Kryesisë së LDK-së që të mos qëndrojë më në qeverisje me LVV-në.