Pas lëndimit të dy fëmijëve nga skena e rrëzuar, kryetari i Podujevës tregon për veprimet që u ndërmorën

Gjatë ditës së sotme dy fëmijë kanë marrë lëndime pas shembjes së një skene, e cila ishte vendosur në sheshin “Katër Dëshmorët” në Podujevë.

Erërat e forta kanë bërë që një skenë e vendosur në kuadër të “Javës së Diasporës” në Podujevë të rrëzohet ndërsa dy fëmijët që kanë marrë lëndime janë dërguar për trajtim mjekësor.

Kryetari i Podujevës, Shpejtim Bulliqi, në një prononcim për KALLXO.com ka treguar se pjesa ballore e skenës është rrëzuar ndërsa fëmijët kanë qenë duke luajtur në atë kohë.

“Dy fëmijë kanë qenë duke lujatur gjatë asaj kohe dhe ata kanë pësuar më shumë traumë psikike e frikësim sesa ndonjë lëndim fizik”, tha Bulliqi për KALLXO.com.

Skena sipas Bulliqit është vendosur në kuadër të aktiviteteve që janë duke u realizuar për “Javën e Diasporës” nga Drejtoria për Kulturë, Rini dhe Sport.

“Pas ngjarjes së sotme janë larguar pjesët anësore të skenës për të mënjanuar çfarëdo rreziku që mund të paraqitet, kurse skena është kontraktuar nga drejtoria përkatëse tek një kompani private”, thotë Bulliqi tutje.

Në anën tjetër Policia e Kosovës nuk ka njoftuar nëse ka intervistuar ndonjë person lidhur me rastin.