Xhafer Gashi, Jeta në Komunë. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas largimit nga AAK, Xhafer Gashi themelon një iniciativë qytetare për Obiliqin

Pas dorëheqjes nga të gjitha funksionet në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, kryetari i Komunës së Obiliqit, Xhafer Gashi, ka bërë të ditur se ka themeluar Iniciativën Qytetare për Obiliqin.

Këtë ai e ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook.

“Sot, mbajtëm takimin e Këshillit Iniciues të Iniciativës Qytetare për Obiliqin, nën prezencën e 49 anëtarëve nga të gjitha lokalitetet e Obiliqit, profesionistë të fushave të ndryshme, me vullnet dhe energji për të vazhduar me punë të mira për Obiliqin”, ka shkruar Gashi,

Ai ka bërë të ditur se në  këtë takim u zgjodh  edhe grupi punues për përpilimin e procedurave të mëtutjeshme të kësaj iniciativë që do të jetë funksional deri në Kuvendin e punës, nga i cili do të dalin gjitha strukturat e Iniciativës Qytetare për Obiliqin.

“Në fjalën time falënderova pjesëmarrësit që madhështuan këtë takim, ku nga sot me votën e tyre me unanimitet të plotë Iniciativa Qytetare për Obiliqin, do të jetë adresa e re e cila është e hapur për të gjithë qytetarët të Obiliqit, kuadro të rinj profesionistësh të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin dhe ndërtimin e qytetit të Obiliqit”, ka thënë në fund kryetari i Obiliqit.

Më 23 mars, Gashi kishte njoftuar për dorëheqjen e tij nga AAK. Ai kishte thënë se jep dorëheqje nga strukturat e AAK-së por jo nga qeverisja lokale e Obiliqit.

Gashi ka thënë se kjo dorëheqje vjen si rrjedhojë e zhvillimeve brenda strukturës së Aleancës në Obiliq, pas dorëheqjes se nëntë asamblistëve të Kuvendit Komunal, kryesisë së degës, forumit rinor dhe nga 21 nëndegë, 20 prej tyre iu kanë bashkuar kësaj dorëheqjeje dhe shumë aktivistë me të cilët ka rrugëtuar së bashku.