
Pas krerëve të LDK-së dhe AAK-së, Osmani do të mbajë takim edhe me kryetarin e PDK-së
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani pritet që pasditen e sotme të takojë kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i komunikimit në PDK, Valmir Klaiqi,
“Takimi mes Kryetarit Krasniqi dhe Presidentes Osmani do të ndodhë sot, pasdite. Për detajet nga takimi do të ju njoftojmë pastaj”- deklaroi Klaiqi.
Gjatë ditës së sotme presidentja Osmani është takuar edhe me kryetarin e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe me kreun e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajn.
Abdixhiku pas takimit tha se u informua mbi gjendjen e sigurisë në veri të vendit dhe angazhimin e institucioneve shtetërore në përballje me sulmet terroriste gjatë ditëve të fundit.
Kryetari i LDK-së ka njoftuar se ka shprehur domosdoshmërinë e unitetit nacional në përballje me sfidat që mund të vijnë nga Serbia.
Policia e Kosovës ka liruar për qarkullim rrugën që të dërgon brenda territorit të fshatit Banjskë, aty ku ditëve të fundi Policia ka zhvilluar aksionin e bastisjeve pas sulmit të grupit terrorist.
Pjesëtari i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, u vra, një tjetër u plagos dhe një tjetër u lëndua, pas një sulmi nga persona të armatosur në Banjskë të Zveçanit, rreth orës 3 të mëngjesit të së dielës.
Policia e Kosovës kishte rrethuar të dyshuarit, rreth 30 persona – pjesëtarë të grupit të armatosur terrorist që gjendeshin në manastirin e Banjskës, derisa sulmet ndaj njësiteve policore vazhduan edhe në mbrëmje.