Pas intervenimit të KFOR-it, shuhet zjarri në Prevallë
Është arritur të shuhet zjarri në Prevallë, pas intervenimit të KFOR-it në bashkëpunim me organet kompetente në Komunën e Prizrenit, të mërkurën më 14.08.2024.
Zjarri në një pjesë të Prevallës kishte filluar nga data 05.08.2024 dhe si rezultat i gjendjes së vazhdueshme të përhapjes është kërkuar intervenimi i KFOR-it për shuarjen e zjarrit.
“Gjate intervenimit nga ajri, nga ana e KFOR-it, me anë të helikopterëve është hedhur ujë, ndërsa, zjarri është shuar dhe nuk duket se ka shenja se mund të përsëritet gjendja e njejtë”- citohet të ketë thënë kryetari i Prizrenit, Shaqir Totaj.
Kryetari vlerësoi mbështetjen e KFOR-it për shuarjen e zjarrit.
“Si rezultat i përcjelljes së gjendjes së krijuar me zjarret në Prevallë dhe pas konsultimeve me të gjithë akteret, përfshirë edhe KFOR-in, u vlerësua se për ta evituar rrezikun e përhapjes së mëtutjeshme të zjarrit duhet intervenuar nga ajri”- ka njoftuar Kryetari i Prizrenit
Totaj ka shtuar se ekipet janë në terren duke e përcjellë gjendjen.
“KFOR-i edhe një herë e ri konfirmoi përkushtimin për t’u gjetur aty kur rrezikohet prona dhe jeta e banorëve në Kosovë. Jemi falënderues dhe mirënjohës jo vetëm ndaj KFOR-it por dhe ndaj të gjithë aktereve tjerë të cilët dhanë kontributin, se pari për ta menaxhuar e pastaj për të shuar zjarrin. Falënderim për shtabin emergjent të krijuar nga Drejtoria e Emergjencës dhe Sigurisë e Komunës së Prizrenit, posaçërisht zjarrfikësve prizrenas që monitoruan situatën gjatë gjithë kohës”- ka thënë Totaj.
Kurse,mMinistri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural Faton Peci, u ka bërë thirrje qytetarëve që mos të ndezin zjarre. Ai konfirmoi ndihmën nga KFOR-i për shuarje të zjarreve në Prevallë.
“Personat e papërgjegjshëm që po ndezin hamulloret duke menduar gabimisht që kjo po lehtëson punën në bujqësi”- tha mes tjerash ai.