Flamur Mrasori - Foto: BQK
Pas interesimit të KALLXO.com, UP-ja ia pezullon punën kryetarit të Bordit të BQK-së
Kryetarit të Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës, Flamur Mrasori, i është pezulluar puna si profesor asistent në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Këtë vendim, UP-ja e ka marrë pas interesimit të KALLXO.com për këtë çështje.
KALLXO.com fillimisht kishte dërguar kërkesë për informacione më 30 gusht nëse profesori Mrasori e ka pezulluar punën ashtu siç përcaktohet me vendimin e Këshillit Drejtues të UP-së, që kërkon nga personat që emërohen në poste publike dhe janë profesorë, të përcaktohen se cilin vend të punës dëshirojnë ta mbajnë.
KALLXO.com e kishte ripërsëritur kërkesën më 16 shtator në drejtim të Universitetit, të cilët kishin konfirmuar se janë duke e trajtuar rastin në fjalë.
Pas kësaj, më 5 tetor, Universiteti i Prishtinës ka njoftuar se që nga data 30 shtator ka marrë vendim për pezullim të profesorit të Fakultetit Juridik, Flamur Mrasori, nga vendi i punës.
“Ju njoftojmë që, Universiteti i Prishtinës, me qëllim të zbatimit të vendimit Nr. 3/881, të datës 11/12/2020 të Këshillit Drejtues, me anë të të cilit përcaktohet statusi i personelit mësimdhënës të UP-së kur emërohet në poste publike, ka marrë vendim që prof. ass. dr. Flamur Mrasori, mësimdhënës në marrëdhënie të rregullt pune në Fakultetin Juridik të UP-së, duke nisur nga data 30 shtator 2021, t’i pezullohet vendi i punës”, thuhet në përgjigjen e tyre për KALLXO.com.
Sipas UP-së, pezullimi zgjatë deri në përfundim të mandatit të tij si anëtar i Bordit të Bankës Qendrore të Kosovës.
“Gjatë periudhës së pezullimit të vendit të punës, profesor Mrasori nuk mund t’i nënshtrohet procedurave të avancimit, ndërkaq kompensohet vetëm për orët e mbajtura në cilësi të bashkëpunëtorit të jashtëm”, thuhet më tej.
Mrasori ishte emëruar kryetar i Bordit të BQK-së në vitin 2018. Ai për KALLXO.com ka pranuar se ka marrë vendimin e UP-së për pezullimin e punës.
“Është e vërtetë që kam pranuar Vendim për pezullim të marrëdhënies së rregullt të punës në UP deri në përfundim të mandatit në BQK (njëjtë siç kanë pranuar besoj edhe zyrtarët tjerë publik) dhe i cili është efektiv nga data 30 shtator 2021. Mund të them që ka pasur kërkesa edhe nga menaxhmentet paraprake ku çdoherë kam reflektuar dhe në bashkëpunim me to kemi arritur me sukses dhe në pajtueshmëri me ligjin t’i adresojmë çështjet e ngjashme”, ka thënë Mrasori.
Ai tha se do të zbatojë vendimet e nxjerra nga organet drejtuese të UP-së.
“Ashtu do të ndodhë edhe tani. Çdo vendim të organeve drejtuese duhet ta respektoj unë dhe çdo staf tjetër akademik me qëllim të rritjes së cilësisë dhe efektivitetit! Sa herë që ka vendime të tilla apo të ngjashme mund të pajtohemi apo jo por shkalla e kompleksitetit të tyre nuk është aq e lartë sa për t’u mos u zgjidhur edhe brenda përbrenda UP-së”, ka shtuar ai më tej.
Mrasori në UP ligjëron në Departamentin e së Drejtës Ndërkombëtare me fokus “E Drejta e Unionit Evropian” dhe “E Drejta Ndërkombëtare Private”.