Faton Thaçi. Foto Facebook

Pas interesimit të KALLXO.com, suspendohet nga puna drejtori Operativ në Postën e Kosovës

Sot është suspenduar nga puna Faton Thaçi, drejtor i Operativës në Postën e Kosovës.

Suspendimi i tij nga puna është bërë pas interesimit të KALLXO.com që ndaj tij ka një aktakuzë të ngritur nga Departamenti Special në kuadër të Gjykatës së Prishtinës.

KALLXO.com mëson se suspendimi i Thaçit është bërë para pak çastesh me rekomandim të bordit të Postës së Kosovës.

Në lidhje me këtë aktakuzë KALLXO.com ka kërkuar sqarime sot gjatë ditës nga ana e kryetares së bordit, Safije Beseni.

Ajo pranoi që është marrë vendimi për largim të përkohshëm të Thaçit nga puna.

Kryetarja Beseni po ashtu ka konfirmuar se aktakuza nuk i referohet marrëdhënies së punës me Postën e Kosovës.

“Aktakuza nuk i referohet shkeljeve që kanë ndodh në PK Sh.A., ku punonjësi nuk ka pasur vërejtje në kryerjen e detyrave të punës, megjithatë në interes së mbrojtjes së imazhit të ndërmarrjes, si dhe të mos përfshirjes së menaxhmetit në procese që mund të ndikojnë në besueshmërinë e opinionit”, ka thënë Beseni.

Ajo ka thënë se Thaçi është suspenduar nga puna në përputhje me Ligjin e Punës.

“Në përputhje me Ligjin e Punës Nr. 03/ L-212 neni 73, paragrafi 1. Pika 1.1., si dhe në përputhje me rregulloren që rregullon marrëdhënien e punë Neni 23, ndaj është zbatuar largimi i përkohshëm nga puna, pika 1.1”, është përgjigjur Beseni për KALLXO.com.

Thaçi ka qenë edhe zëvendësministër në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë. Ai ka dhënë dorëheqje në vitin 2018.

Ai në një postim në Facebook kishte treguar se është dorëhequr nga kjo pozitë.

Jep dorëheqje një Zëvendësministër