Vetura e policisë me çelës në derë, Video: KALLXO.com

Pas interesimit të KALLXO.com, pritet të nisin hetimet ndaj policit që la veturën zyrtare hapur në një parking - VIDEO

Zyrtarët policor të cilët kishin shkuar në një qendër tregtare në Prizren për të vëzhguar nëse po zbatohen masat anti- Covid janë treguar të pakujdesshëm në sigurinë e veturës zyrtare.

Të njëjtit kanë lënë veturën hapur dhe çelësin në derë.

Dy ditë më parë, KALLXO.com ka pranuar disa pamje dhe fotografi ku shihet një veturë e policisë e cila nuk është mbyllur nga zyrtarët policor pasi kanë lënë çelësin në derë.

Vetura e policisë ka qenë e parkuar në një parking të një qendre tregtare, vend ky i cili frekuentohet vazhdimisht nga qytetarët.

Në lidhje me këtë rast KALLXO.com ka kërkuar sqarime nga ana e policisë se pse një veprim i tillë është ndërmarrë nga zyrtarët policor.

KALLXO.com ka ndarë me policinë edhe pamjet në mënyrë që të identifikohej vetura e cila ishte lënë me çelës në derë.

“Automjeti në fjalë i takon stacionit policor në Prizren. Njësiti policor deri sa kanë qenë në zbatim të masave anti-Covid në këtë qendër nga pakujdesia për shkak të veprimeve të cilat janë marrë me disa raste me shqiptime të gjobave për mosrespektim të masave kanë mbetur çelësat. Mirëpo automjeti i policisë, nuk është prek, nuk ka mungu asgjë, nuk është dëmtuar asgjë”, tha zëdhënësi i Policisë së Rajonit të Prizrenit, Vesel Gashi.

Ai shtoi se ndaj zyrtarit policor përgjegjës do të nisin hetimet fillestare për të vërtetuar nëse i njëjti ka bërë shkelje me veprimin e tillë.

“Pasi të bëhet hetimi nëse vërtetohet se ka bërë shkelje atëherë me siguri se do të ndërmerren masa ndaj tij”, tha tutje ai.

Kujtojmë se në vitin 2018 KALLXO.com pati raportuar se si një qytetar kishte keqpërdorur veturën zyrtare të Policisë së Kosovës.

Pamjet tregonin se si qytetari kishte hipur në veturën e Policisë dhe kishte vënë në kokë kapelën e policit, të cilën e heq dhe e përplas në karrige, pastaj fillon të bëj xhiro me veturë.

VIDEO: Hajgare me veturën e Policisë