Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas interesimit të KALLXO.com për parregullësi të mundshme, IKShPK anulon konkursin

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) ka anuluar të premten konkursin për pozitën mostrues, pasi KALLXO.com kërkoi qasje në informacion që nga e hëna rreth disa pretendime të një kandidateje, e cila nuk arriti të punësohet për këtë pozitë.

Kandidatja Greta Nushi, kishte aplikuar në konkursin e shpallur të datës 29 prill 2021, për pozitën Mostrues në Departamentin e Ekologjisë Humane, porse edhe kishte kontestuar mbarëvajtjen e procesit të intervistimit.

Nushi bëri edhe ankesë në këtë institucion, por nga IShPK kanë njoftuar se ende janë në procedurë të shqyrtimit.

Kandidatja Nushi ishte ankuar se nga një anëtare e Komisionit i ishte bërë një pyetje, siç e quan ajo, me tendencë diskriminuese “Si femër a mendoni se mund të kryeni këtë punë”?.

Mirëpo, sipas Institutit, kjo nuk qëndron, dhe shtojnë se shprehja e gatishmërisë nga ana e kandidates për kryerjen e të gjitha detyrave specifike që ka kjo pozitë, ka qenë një fakt shtesë për poentimin maksimal.

“Sa i përket pyetjes që është parashtruar nga anëtarja e Komisionit dhe e cila është konsideruar si diskriminuese, edhe kjo nuk qëndron, për faktin se: pyetja e parë e parashtruar nga anëtarja e Komisionit ka qenë, “prezantimi i juaj dhe cili është vizioni i juaj për pozitën të cilën keni aplikuar”, thuhet në përgjigjen e IKShPK-së për KALLXO.com.

“Si mund të pretendojë ankuesja në fjalë për tendencë diskriminimi në pyetjen e parashtruar “Si femër a mendoni se mund të kryeni këtë punë“, kur shprehja e gatishmërisë të saj e znj.Nushi për kryerjen e të gjitha detyrave specifike që ka kjo pozitë, ka qenë një fakt shtesë për poentimin maksimal nga ana e anëtares së Komisionit. (Duke marrë parasysh pyetjen bazë gjatë prezantimit të saj për shkollimin, përvojën e punës dhe aftësi dhe shkathtësi të tjera)”, thuhet në përgjigje të IKShPK-së.

Sipas tyre, pyetja ka qenë për të gjithë kandidatët e njëjtë dhe në kuadër të prezantimit të kandidateve për këtë pozitë, për shkak të disa specifikave për kryerjen e punës që ka kjo pozitë.

Kandidatja Nushi kishte bërë kërkesë për qasje në vlerësimin e anëtarëve të komisionit specifikisht për këtë pyetje për të cilën ajo ishte përgjigjur më ‘po’. Mirëpo asaj iu ishte lejuar vetëm përmbledhja e vlerësimeve individuale të anëtarëve të Komisionit rekrutues për pikët e përgjithshme, dhe jo vlerësimi vetëm për atë pyetje.

Dyshimet se anëtarja e Komisionit favorizoi kandidaten që u pranua

Përveç kësaj, kandidatja Greta Nushi kishe ngritur dyshimet edhe për një konflikt të mundshëm të interesit, pasi anëtarja e Komisionit Vlerësues, ka shfaqur afërsinë në rrjete sociale me kandidaten që ishte pranuar.

Bëhet fjalë për anëtaren e Komisionit, mikrobiologen Donjeta Pllana. Ajo në fotografinë e datës 18 qershor 2021 ia kishte shprehur respektin dhe mirënjohjen kandidates dhe tri laboranteve tjera për angazhimin e tyre në kohën e pandemisë.

Kandidatja e suksesshme për këtë pozitë, kishte punuar në këtë institucion krahas një projekti si laborante teknike.

Pasi ankesa u dërgua me pretendimet e kandidates Nushi, fotografia u fshi nga rrjeti social “Facebook”.

KALLXO.com ka kontaktuar me doktoreshën Pllana por ajo mohoi se afërsia me të për shkak të angazhimit të saj paraprak ka pasur ndonjë ndikim në vlerësim.

“Jo nuk ka ndiku se aty ka pasur edhe anëtarë të tjerë të Komisionit që e dinë situatën qysh ka qenë. Absolutisht nuk ka ndiku në vendimin përfundimtar. I kam raportet si me shumë të tjerë që kanë punuar në Institut gjatë pandemisë”, tha ajo.

Ndërkaq e pyetur rreth fshirjes së fotografisë në fjalë, Pllana tha shkurt se “e ka lënë vetëm për vete”.

Postimi në Facebook i anëtarës së Komisionit Donjeta Pllana, 18 qershor 2021Në anën tjetër, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thanë se të gjitha këto janë dyshime e kandidates Greta Nushi duhet të vërtetohen nga Agjencia Kundër Korrupsion.

Instituti në fund njoftoi se Komisioni për Shqyrtimin e Ankesave ka anuluar konkursin dhe procedurat e rekrutimit për këtë pozitë.

Përveç pozitës mostrues, sipas njoftimit të publikuar në faqen zyrtare të IKShPK-së, janë anuluar edhe për pozitat; 2 laborant – Departamenti i Mikrobiologjise, 1 laborant – Qendra e Laboratoreve Testuese, 1 laborant – QRSHP dega në Ferizaj, 1 laborant QRSHP dega në Pejë.

KALLXO.com ka provuar që të marrë një përgjigje për arsyet e anulimit të konkursit por deri në momentin e publikimit të këtij artikulli ende nuk është bërë e ditur.