Pas interesimit të KALLXO.com kthehet në Rihetim rasti i 12 zyrtarëve të ATK-së

Rasti për pushimin e hetimeve ndaj 12 zyrtarëve të ATK-së do të trajtohet edhe një herë nga Prokuroria Themelore, pas Vendimit të Prokurorisë së Apelit që çështja të shqyrtohet përsëri.

KALLXO.com pasi kishte kuptuar se është pushuar pjesërisht hetimi nga Prokuroria Themelore ndaj zyrtarëve të ATK-së kishte nisur shkresë njoftuese te krerët e institucioneve për t’u njoftuar lidhur me këtë Vendim.

“Kjo Ankesë është trajtuar dhe si rezultat ju informojmë se me Vendimin e datës 12.03.2025 të kësaj Prokurorie është aprovuar Ankesa juaj si e bazuar, ndërsa lënda është kthyer në Riprocedim në Prokurorinë e Shkallës së Parë për ndërmarrjen e veprimeve shtesë hetimore.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Apelit.

ATK përmes Avokaturës Shtetërore kishte ndërmarrë hapa ku më 25.02.2025 kishte ushtruar të drejtën e Ankesës ndaj Vendimit të Prokurorisë Themelore për pushimin e pjesërishëm të hetimeve.

KALLXO.com ka provuar të kontaktojë prokurorin e Apelit, Arian Gashin, i cili ka marrë Vendimin për kthimin në Rihetim të këtij rasti.

“Aktvendimi për pushimin e hetimeve të pjesërishme është anulu dhe landa është kthyer edhe një herë për Rihetim nga Prokuroria Themelore.” – tha për KALLXO.com, Gashi.

Më shumë se një vit më parë, më 09.01.2024, KALLXO.com raportoi për aksionin e Prokurorisë së Prishtinës dhe hetuesve të Drejtorisë së Krimeve Ekonomike të Policisë së Kosovës, në të cilin u arrestuan 12 zyrtarë të ATK-së dhe një pronar biznesi.

12 zyrtarët e ATK-së janë: Masar Zejnullahu, Nesim Bajrami, Safet Temaj, Avdi Jakupi, Muhamet Rafuna, Murtez Zeqiri, Milaim Berisha, Gazmend Gjocaj, Adil Paqarizi, Vllaznim Krasniqi, Agim Rama e Xhemajl Hertica.

Këta zyrtarë dyshohej se kishin pranuar 23 fatura fiktive nga F.P., një biznesmen nga Prizreni, i cili kishte aplikuar për rimbursim nga TVSH.

Faturat kishin vlerë 18 milionë euro, ndërsa pretendohet se rimbursimi do të kapte vlerën 2.8 milionë euro.

Pas ndalimit të tyre 48-orësh, Prokuroria e Prishtinës kishte kërkuar masën e paraburgimit ndaj 12 zyrtarëve të ATK-së, më 10.01.2024. Por, një ditë më pas Gjykata e Prishtinës e kishte refuzuar këtë Kërkesë.

Gjykata atyre iu kishte shqiptuar masën e ndalimit për t’iu afruar vendit apo personit të caktuar. Sipas kësaj mase, atyre u ishte ndaluar qasja dhe afrimi në objektin e institucionit qendror të ATK-së – duke përfshirë edhe të gjitha regjionet e saj, në largësi prej 500 metrash.

Më 20.02.2025, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) ka njoftuar se më 18.02.2025 ka pranuar një Aktvendim për pushimin e pjesërishëm të hetimeve nga Prokuroria e Prishtinës, në lidhje me përfitimin në mënyrë të kundërligjshme nga rimbursimi i TVSH-së përmes faturave fiktive, si dhe për hetimet ndaj 13 zyrtarëve të ATK-së.

ATK duke u bazuar në Aktvendim thotë se Prokuroria ka vendosur të ngrejë Aktakuzë ndaj dy pronarëve të Kompanive, të përfshira në përpjekjen për të përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën rreth 2.8 milionë euro nga rimbursimi i TVSH-së përmes faturave fiktive.

Kurse, ndaj 13 zyrtarëve të ATK-së të cilët u arrestuan më 09.01.2024 sipas ATK-së kanë pushuar hetimet.

“ATK thekson se ky rast është një dëshmi e qartë e përkushtimit të institucionit tonë në luftën kundër keqpërdorimeve dhe mashtrimeve financiare. Edhe pse ATK vlerëson se përfshirja në këtë skemë mashtrimi mund të ketë qenë më e gjerë se dy personat e akuzuar, ky Aktvendim konfirmon se ATK ka arritur të parandalojë një dëm financiar rreth 2.8 milionë euro ndaj buxhetit të Republikës së Kosovës.” – thuhet në njoftimin e ATK-së, më 20.02.2025.

Më tej, ATK e riafirmon përkushtimin e saj për të bashkëpunuar ngushtë me organet e Drejtësisë dhe për të përmbushur detyrimet e saj në procedurat gjyqësore ndaj të akuzuarve në këtë rast.

“Ne zotohemi se do të vazhdojmë luftën kundër çdo dukurie negative – duke përfshirë përpjekjet për të përfituar padrejtësisht nga buxheti i shtetit përmes faturave fiktive dhe çdo forme të mashtrimit fiskal. Gjithashtu, do të ndërmarrim të gjitha masat e nevojshme për të parandaluar praktikat e paligjshme që dëmtojnë buxhetin e shtetit dhe besimin e qytetarëve në Sistemin tatimor.” – ka theksuar nga ATK.

Në emisionin Kallxo Përnime, më 13.01.2024, ishte transmetuar aksioni i Prokurorisë së Prishtinës, që u zhvillua pas hetimeve për një biznesmen i cili dyshohet se tentoi përmes faturave fiktive të përfitojë 2.8 milionë euro nga shteti përmes rimbursimit të TVSH-së.