Pas interesimit të KALLXO.com, Komuna e Prizrenit largon nga web- faqja dokumente që pëmbanin të dhëna personale të qytetarëve

Komuna e Prizrenit në web faqen e saj ka publikuar të gjitha dokumentet lidhur me legalizimet e objekteve të cilat kanë përmbajtur të dhëna personale të qytetarëve prizrenas.

KALLXO.com ka kërkuar informacione me datën 21 janar nga Komuna e Prizrenit se a kanë marrë pëlqimin e qytetarëve për publikimin e numrave personalë, numrave të telefonit, adresat e shtëpive të banimit të legalizuara, të dhëna këto të mbrojtura me Ligjin për Mbrojtjen e të Dhënave Personale.

Pas pyetjeve të dërguara, KALLXO.com ka marrë njoftimin nga Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor se do ta ndalojë përkohësisht publikimin e legalizimeve derisa të rregullohet mënyra e publikimit.

“Formulari i legalizimit i përfshinë këto shënime, ndërkaq Drejtoria e Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor do të ndjek praktikën e publikimit të lejeve ndërtimore. Kjo faqe përkohësisht do të pasivizohet deri në përmirësimin e modelit të publikimeve”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Prizrenit.

KALLXO.com ka kërkuar koment edhe nga Agjencia Shtetërore për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, por nuk ka marrë përgjigje.

Komuna e Prizrenit ka legalizuar vetëm 190 objekte që nga koha kur ka filluar procesi i legalizimit, në korrik të vitit 2019.

Sipas Beni Kizollit, drejtor komunal për Urbanizëm dhe Planifikim Hapësinor, deri më tash kanë pranuar më shumë se 10 mijë lëndë, të dërguara ndër vite në këtë drejtori, por që me stafin që ka pasur komuna kanë arritur t’i trajtojnë mbi 2 mijë kërkesa.

Kizolli ka thënë se aktualisht në sektorin e legalizimeve kanë vetëm një zyrtar, për shkak se stafi që ka qenë i angazhuar kanë pasur kontrata 6 mujore, të cilat tashmë kanë skaduar.

“Jemi në pritje të gjetjes së formulës për vazhdimin e punës me staf të rregullt. Nga DUPH vetëm një zyrtar është përgjegjës për Legalizim, i cili me punën vullnetare të ish-stafit të legalizimin po vazhdon shërbimin. Nga pjesa që kemi arritur vazhdimësinë e komunikimit numri është rreth 850 e të përmbyllura rreth 190 lëndë”, ka thënë Kizolli për KALLXO.com.

Në Kosovë për mbi 300 mijë objekte pa leje ka filluar procesi i legalizimit në korrik të vitit 2019, ndërsa deri në fund të muajit tetor të vitit 2020 janë bërë 1656 legalizime në të gjithë Kosovën.

Ky proces është duke u zhvilluar duke u bazuar në pesë Udhëzime Administrative, të nxjerra nga Ministra e Mjedisit.

Legalizimi i objekteve do të bëhet përmes tri kategorive të ndërtimit.

Për kategoritë I dhe II të ndërtimeve, organ kompetent është komuna. Për kategorinë III të ndërtimeve, organ kompetent është Ministria.