Pas interesimit të KALLXO.com, ‘Besa Security’ largon mbushësit për makina elektrike nga trotuari - FOTO

Kompania e sigurimit ‘Besa Security’ ka larguar disa mbushës për makina elektrike nga hapësira publike në lagjen ‘Kalabria’ pas interesimit të Kallxo.com

Mbushësit ishin vendosur në hapësirën për këmbësor dhe pas raportimit, menaxhmenti vendosi të largojë mbushësit, duke i futur brenda pronës private.

Kështu u bë e ditur për KALLXO.com nga zyrtarë të kësaj kompanie.

“Menaxhmenti i Besa Security pas shqyrtimit të rastit të raportuar nga ana juaj, me pronarët e tokës, ka ardhur në përfundim se, pasi mbushësit kanë tejkaluar vijën e pronës private, të njëjtat t’i fus tërësisht brenda pronës private”, thuhet nga Besa Security.

Sipas tyre, për vendosjen e mbushëvse nuk kanë pasur asnjë raportim nga organet shtetërore.

Derisa, hapësira e hijezuar e parkingjeve sipas tyre është pronë private dhe këto mbushës do jenë në dispozicion edhe për banorë të lagjes.

“Pjesa ku janë vend parkingjet e shenjëzuara për përdorim për parkim dhe mbushje të veturave 100% elektrike, janë në pronë private dhe administrohen nga vet pronarët. Andaj, meqë prona është private, ne nuk kemi nevojë të rezervojmë parkingje nga Prishtina Parking. Ato dy vende parkingje i takojnë pronarëve të objektit, ndërsa shfrytëzohen nga Besa Security”, thuhet tutje nga kjo kompani.

 Nga Besa Security theksohet se mbushësit nuk i kanë kufizuar në qasje vetëm për veturat 100% elektrike të Besa Security, por të njëjtat i kanë vendosur edhe për shfrytëzim si vendparkim për mbushje të veturave elektrike të banorëve të lagjes, për të cilat rryma kompensohet 100% nga Besa Security.