Foto: REL

Pas interesimit të KALLXO.com, AKK fillon hetimet ndaj mjekëve stomatologë të angazhuar si inspektorë shëndetësorë

Agjencia Kundër Korrupsionit ka filluar hetimet për konflikt interesi në situatën kur mjekët stomatologë janë të angazhuar edhe si inspektorë shëndetësorë.

Ky hetimi AKK-së ka filluar pas pyetjeve të KALLXO.com se a përbën konflikt interesi kur një mjek stomatolog përpos që mban pozitën e inspektorit shëndetësor, ushtron veprimtari edhe në sektorin privat.

“Lidhur me pyetjen tuaj se a ka konflikt interesi në rast se një mjek stomatolog përpos që mbanë pozitën e Inspektorit Shëndetësor, ushtron veprimtari edhe në sektorin privat, Agjencia kundër Korrupsionit ju njofton se bazuar në përgjegjësit e përcaktuara me Ligjin nr.06/L-011 për parandalimin e konfliktit të interesit, ka filluar procedurën e hetimit paraprak për shqyrtimin e gjendjes së konfliktit të interesit dhe është në kontakt me inspektoratin shëndetësor të Ministrisë së Shëndetësisë”, thuhet në përgjigjen e Agjencisë.

Si inspektorë shëndetësorë në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë punojnë 8 mjekë stomatologë.

“Referuar pyetjes tuaj të më poshtme, ju informojmë se në kuadër të Inspektoratin Shëndetësor punojnë tetë (8) doktor Stomatolog si Inspektor Shëndetësor”, thuhet në përgjigjen  e  Kryeinspektorit Shëndetësor, Shaban Osmanaj për KALLXO.com.