Pas incidentit në Shipashnicë, deputeti i PDK-së: Qëndron Kastrati duhet të shkarkohet nga pozita e kryetarit

Pas incidentit që ka ndodhur në fshatin Shipashnicë e Ulët në Komunën e Kamenicës, deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se Qëndron Kastrati, duhet të shkarkohet nga pozita e kryetarit të kësaj komune.

Sipas Haxhiut, Kastrati e ka keqpërdorur besimin e qytetarëve.

“Katër vitet më parë qytetarët e Kamenicës votuan për ndryshim, ndërsa sot pushteti që e zgjodhën po ushtron dhunë ndaj qytetarëve për një të drejtë elementare që ata po e kërkojnë dhe që ju takon me Ligj dhe Kushtetutë, arsimimin e fëmijëve”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.

Ai e ka kërkuar shkarkimin e Kastratit duke u bazuar në nein 64 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale.

Banorë të fshatit Shipashnicë e Ulët kanë protestuar sot në shkollën e këtij fshati duke kundërshtuar reformën në arsim në Kamenicë.

Ata kanë penguar sot zyrtarët komunal të futen në shkollë për dorëzimin e inventarit dhe pajisjeve për parashkollorë, derisa sipas raportimeve situata ka qenë mjaft e tensionuar.

Për të qetësuar këtë situatë, Policia e Kosovës kishte përdor edhe sprejë në mënyrë që të ndalë protestën e rreth 50 personave.

Policia e Kosovës po ashtu bëri të ditur për KALLXO.com se protestuesit kanë sulmuar zyrtarët komunal dhe është dashur të mbajnë situatën në kontroll.

Në lidhje me këtë protestë ka reaguar edhe kryetari i Komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati.

Sipas tij, është për keqardhje deri në ç’masë “është duke u manipuluar komuniteti nga disa të badihavaxhinj”, duke e fajësuar edhe ministren e Arsimit, Arbërie Nagavci pas vendimit të fundit të saj për organizimin e mësimit plotësues në këtë anë.

“Nuk do ta besoja kurrë që në shekullin XXI një prind më përpara e dëgjon një manipulues sesa zemrën e tij për fëmijën e vet. Për më shumë, Ministrja Nagavci me çasjen e saj po hedhë benzin në zjarr. Kjo është e turpshme dhe e pafalshme.  P.S. Sipas neuroshkencëtarëve, truri i fëmijës deri në moshën 2 vjeç ka periudhën më intensive të zhvillimit, pas kësaj moshe proceset fillojnë dhe reduktohen. Prandaj, është e rëndësishme që fëmija të rritet në një ambient të pasur me informacion dhe veprime nxitëse, me bashkëmoshatarë dhe edukatorë profesional”, ka shkruar më tej Kastrati.

Ndërsa ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci e ka ftuar Komunën e Kamenicës që të jetë në nivel të përgjegjësisë dhe të mos lejojë asnjëherë më të përsëriten situata të tilla.

“Prindërit dhe banorët, ndonëse janë përballur e po vazhdojnë të përballen me një situatë jo të lehtë, i lus të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të mos krijohen ngjarje si kjo sot e mbi të gjitha të mos rrezikohet siguria e fëmijëve”, ka shkruar Nagavci.