Pas hulumtimit të Kallxo.com për emërimin e kryeshefit të Postës, reagon Rozeta Hajdari

Zyrtarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Rozeta Hajdari, ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë ka reaguar pas lajmit të Kallxo.com për zgjedhjen e kryeshefit të Postës së Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, Hajdari ka shkruar se qeveria në ikje ka emëruar borde të jashtëligjshme dhe ka dështuar të përmbyllë me kohë dhe me rregull konkurset për zgjedhjen e bordeve të drejtorëve.

“Kjo qeveri në ikje nuk po e respekton një ecuri konkurruese, të hapur dhe të drejtë. Kjo vërtetohet me lajmin e sotëm nga Kallxo.com ku njoftohemi se, krahas emërimeve të parregullta të bordeve, kjo qeveri në ikje paska filluar edhe me emërimet e jashtëligjshme të kryeshefave ekzekutiv për ndërmarrjet publike, si në rastin e sotëm në Postën e Kosovës”, ka shkruar ndër të tjerash Hajdari në Facebook.

Postimi i plotë i Hadarit në Facebook:

Ndërmarrjet publike duhet të qeverisen në përputhje me interesin publik, sipas kushtetutës dhe ligjit. Qeveria në ikje ka dështuar të përmbushë këtë detyrë, duke lejuar madje që ndërmarrjet t’u nënshtrohen interesave të pushtetarëve dhe përkrahësve të tyre. Qeveria në ikje ka emëruar borde të jashtëligjshme dhe ka dështuar të përmbyllë me kohë dhe me rregull konkurset për zgjedhjen e bordeve të drejtorëve. Përzgjedhja e drejtorëve duhet të bëhet përmes një ecurie konkurruese, të hapur dhe të drejtë. Shoqëria civile, duke përfshirë mediat dhe partnerët ndërkombtarë mund dhe duhet të ndihmojnë për të siguruar qeverisje të mirë dhe të ligjshme të ndërmarrjeve.

Kjo qeveri në ikje nuk po e respekton një ecuri konkurruese, të hapur dhe të drejtë. Kjo vërtetohet me lajmin e sotëm nga kallxo.com ku njoftohemi se, krahas emërimeve të parregullta të bordeve, kjo qeveri në ikje paska filluar edhe me emërimet e jashtëligjshme të kryeshefave ekzekutivë për ndërmarrjet publike, si në rastin e sotëm në Postën e Kosovës.

Përveç emërimit të kundërligjshëm të kryeshefit, Posta ka lëshuar dorën me postime e gradime të militantëve partiakë dhe me kontrata të dëmshme që shpërblejnë bizneset e politikanëve. E njëjta praktikë është duke ndodhur edhe në ndërmarrjet tjera publike.

Po ashtu, edhe procesi i emerimit te bordeve të rregullta për ndërmarrjet publike, synohet të arrihet nga kjo qeveri në ikje, në mënyrë shumë jo transparente. Dhe ky realitet jep përgjigjen e qartë se pse gjatë verës 2020 nga qeveria Hoti u anuluan konkurset e rregullta dhe transparente për pozitat e larta menaxheriale për ndërmarrjet publike dhe u shkarkuan bordet profesionale që nuk pranuan ndërhyrjet e paligjshme.

Qeveria e re, e udhëhequr nga Kryeministri Albin Kurti, do të kthejë mbrapsht vendimet dhe veprimet e paligjshme dhe do të kërkojë përgjegjësi prej atyre që kanë dëmtuar ndërmarrjet publike.