Pas hulumtimit të KALLXO.com, Komisioni për Ekonomi do të përfshijë në planin e punës edhe Projektiligjin për Kriptovaluta

Në planin e punës së Komisionit për Ekonomi do të përfshihet edhe Projektligji për Kriptovaluta.

Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje dhe nënkryetarja e Komisionit për Ekonomi, Jeta Statovci ka njoftuar se për të kuptuar më shumë rreth zhvillimeve te deritanishme, sot ajo ka iniciuar kërkesën për hulumtim legjislativ se si është e rregulluar kjo çështje në vendet e rajonit dhe vendet e Bashkimit Evropian, të cilët kanë avancuar me rregullim legjislativ të kësaj fushe.

Kjo nismë vjen pas hulumtimit “Biznesi me kriptovaluta” të transmetuar në “KallxoPernime”.

Hulumtimi i KALLXO.com tregon se si prodhimi i kryptovalutave ka bërë që në vitin 2020 kërkesa për energji të rritet për 14% në katër komunat me shumicë serbe, të cilat nuk paguajnë energjinë e shpenzuar: Leposaviq, Zubin Potok, Mitrovicë të Veriut dhe Zveçan.

Po ashtu është transmetuar rrëfimi i një banori të njërës nga lagjet e veriut të Mitrovicës, i cili ka treguar se si i janë ofruar shuma të ndryshme parash për të lëshuar me qira tavanin e shtëpisë për të prodhuar Bitcoin.

Ditë më vonë në “KallxoPernime” përsëri është debatuar në studio për prodhimin e kriptovalutave se si komunat veriore janë mbushur me pajisje që prodhojnë kriptovaluta dhe se si pjesa më e madhe e tyre janë të padoganuara dhe janë pajisje ilegale.

Deputetja Statovci ka thënë se është ndërmarrë kjo nismë për shkak se industria e re e kriptovalutave, e cila ka filluar të rrisë ndjeshëm pjesëmarrjen në treg, aktualisht është e patrajtuar dhe e parregulluar me ligj, e rrjedhimisht pa mbikëqyrje institucioneve përkatëse.

“Nevoja për vëmendje ndaj këtij sektori është rritur ende më shumë edhe nga informatat shqetësuese në raport me konsumin e energjisë elektrike veçanërisht nga keqpërdorimet me energjinë nga grupe të ndryshme ndëretnike që veprojnë në komunat e veriut të Republikës së Kosovës”, ka shkruar Statovci.

Foto: Jeta Statovci/Facebook

KALLXO.com i ka analizuar raportet e Ministrisë së Ekonomisë, Zyrës së Rregullatorit dhe KOSTT-it për trendin e rritjes së kërkesës për energji në vitet e fundit. Analiza tregon se me rritjen e prodhimit të kryptovalutave dhe rritjen e vlerës së tyre në treg kemi pas edhe kërkesë më të madhe për energji.

Rritja e vazhdueshme e kërkesës për energjisë elektrike në katër komunat me shumicë serbe në veri të vendit ka filluar që nga viti 2018.

Në vitin 2018 ka pasur një rritje prej 2% të kërkesës për energji elektrike në katër komunat që nuk paguajnë energjinë e shpenzuar. Në të njëjtin vit, kërkesa për energji në komunat tjera ishte zvogëluar për 0.27% në krahasim me vitin 2017.

Në vitin 2019, rritja e kërkesës për energji në katër komunat që nuk paguajnë energji elektrike ishte 8%, kurse në pjesën tjetër të Kosovës ishte 5.8%. Kurse në vitin 2020 kjo rritje ka shkuar në 14%.

Një pajisje për prodhimin e kriptovalutave mund të shpenzojë deri në 150 euro energji elektrike për një muaj, por kjo dallon kur në funksion janë më shumë pajisje.

Këtë e ka thënë për KALLXO.com, Milot Mehmeti me profesion ekonomist, i cili në vitin 2015 kishte filluar të merrej me prodhimin e kriptovalutave.

“Një pajisje me pesë kartela grafike mundet me harxhu diku 100 deri 150 euro për një muaj energji elektrike, por ajo mundet me i gjeneru në rastin tash diku 300 euro, pra vlerën e dyfishtë të asaj që e shpenzon”, ka deklaruar ai.

Në vitet 2017-2018 janë importuar më së shumti pajisje për prodhimin e kriptovalutave në Kosovë.

Sipas Doganës së Kosovës, në vitet 2017-2018 janë importuar pajisje për prodhim të kriptovalutave (pajisje ANTMINER – të cilat përdoren për prodhim të BITCOIN-ave) në vlerë 3 milionë e 389 mijë e 566 euro.

Ndërsa kartela grafike në vlerë 4 milionë e 791 mijë e 374 eurove. Kartelat grafike përdoren për prodhimin e pajisjeve të quajtura RIGA, që prodhojnë kriptovaluta të tjera.