Ilustrim

Pas gati dy viteve, anulohet përfundimisht konkursi për stomatolog në Istog

Një nga konkurset më të përfolura në Istog, ai i përzgjedhjes së stomatologut është anuluar përfundimisht nga Inspektorati i Punës.

Konkursi për stomatolog kishte bërë bujë në këtë komunë për shkak se edhe përkundër problemeve në procedurat e konkursit si dhe përsëritjeve, çdo herë kandidat i suksesshëm përzgjidhej ish drejtori i QKMF-së, njëherit anëtari i LDK-së, Shefqet Mehmetaj.

Mehmetaj arriti që të sigurojë një vend pune në institucionin ku kishte shërbyer si drejtor për më shumë se 9 vite.

I pyetur nëse partia kishte ndikim në punësimin e tij, Dr. Shefqeti kishte thanë për KALLXO.com se nuk mund ta përcaktoj nëse ka pasur ndikim partia dhe se nuk mbanë ndonjë pozitë në LDK përpos faktit që është anëtar i thjeshtë.

“Për besë nuk është që muj me përcaktu a ka pas ndikim politika, unë stomatolog jam që mbi 20 vjet dhe kur e kam mbaru mandatin e drejtorit normal që kam pas dëshirë që me vazhdu akoma, kam qenë dy mandate drejtor i QKMF, një mandat kam qenë drejtor komunal i shëndetësisë, po në asnjë konkurs kurrë nuk kemi pas diçka problem vetëm unë kur u përzgjodha dolën probleme nuk e di pse, kam qenë aktivist i LDK-së, anëtar i thjeshtë jam po nuk kam ndonjë pozitë në parti”, kishte deklaruar Mehmetaj 1 vit më parë për KALLXO.com.

Mirëpo me përzgjedhjen e tij në këtë pozitë asnjëherë nuk ishte pajtuar kandidati Shkelqim Mahmutaj, ankesat e të cilin e kishin përsëritur disa herë ketë konkurs përderisa përfundimisht e anuluan nga Inspektorati i Punës.

Mahmutaj ka treguar për KALLXO.com shkeljet të cilat i kishte hasur gjatë këtij procesi.

“Unë kam dyshuar ne këtë konkurs duke u bazuar në pikët e listës  përfundimtare, ngase ne llogaritjet matematikore me rezultonte se kundër kandidati kishte më pak pikë në total sesa nëe test me shkrim”, deklaroj Mahmutaj.

Pas anulimit të fundit të këtij konkursi KALLXO.com ka kontaktuar edhe me drejtorin e shëndetësisë, Mujë Osmanaj.

Osmanaj deklaroj se konkursi është anuluar për shkak të parregullsive dhe se nuk do ta shpall më.

“Anulimi i konkursit nuk na ka lënë mangu me doktor, ne kemi stomatolog edhe tjerë”, shtoi Osmanaj.

Sipas tij, pala e cila e ka humbur vendin e punës me këtë vendim mund ta fitoj përmes procedurave ligjore.

“Po unë prapë mendoj që pala që e ka humb vendin e punës mundet me fitu me gjyq”, tha ndër të tjera.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe më drejtorin e QKMF-së, Ymer Vuthaj për të parë nëse anulimi i konkursit i ka kushtuar QKMF-së me vështirësimin e punës dhe nëse tani kanë nevojë për stomatolog të tjerë.

Vuthaj tha se QKMF-ja ka nevojë për doktorë shtesë pasi janë duke punuar vetëm me një stomatog.

“Në QKMF është vetëm një stomatolog, çdoherë kemi nevojë shumë e ma shumë”, tha Vuthaj.

Në lidhje me parregullsitë e konkursit, Vuthaj përgjegjës e bënë Zyrën Juridike të Kuvendit Komunal në Istog.

“Pala ankuese ka gjet se një pyetje nuk iu ka bo fare ndërsa pjesa tjetër ajo që janë bërë pyetje me gojë nuk janë evidentu pikët për secilën pyetje veçmas por vetëm është nxjerrë totali”, u shpreh drejtori.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Shefqet Mehmetin i cili pas anulimit të konkursit mbeti pa punë në QKMF, mirëpo i njëjti nuk ka pranuar të deklarohet në lidhje me këtë çështje.

Konkursi për stomatolog në QKMF u anulua përfundimisht gjatë muajit korrik të vitit 2021.

Arsyet e anulimit të këtij konkursi nga Inspektorati i punës janë shkelja e udhëzuesit administrativ nr. 07/2017.

Ky udhëzues sipas inspektoratit të punës është shkelur për shkak se gjatë zhvillimit të intervistës forma individuale e intervistimit nuk ka qenë në përputhje me udhëzuesin administrativ.

Sipas inspektoratit pyetjet e paraqitura nga anëtaret e komisionit nuk përmbajnë përgjigjet e kandidateve konkurrent, pasi forma e intervistës përmbante vetëm pyetjet dhe pikët e secilit kandidat.