Pas gati dy javësh, rikthehet furnizimi me ujë në shkollën ‘Zenel Hajdini’ në Prishtinë

Pas pothuajse dy javësh është rikthyer furnizimi me ujë në shkollën fillore të mesme të ulët “Zenel Hajdini” në Prishtinë.

Reduktimet me ujë në këtë shkollë erdhën si pasojë e  punimeve në disa rrugë të lagjes “Medrese” dhe një pjese të lagjes “Kodra e Trimave” në kryeqytet.

Drejtoresha e kësaj shkollë Myrvete Bahtri-Tahiri tha se shpreson që ky problem të mos përsëritet.

“Shkolla ka pasur mungesë të ujit për pothuajse dy javë që nga dita e djeshme (25.09.2024) kemi pasur ujë dhe shpresojmë të mos përballemi më me shqetësime të ngjashme. Edhe për ne si menaxhment, këto situata paraqesin sfida të mëdha”- tha ajo.

Gjatë reduktimeve, ajo tha se kanë përdorur rezervuarë uji, ndërsa situata ka ndikuar edhe në reduktim të orarit të mësimit.

“Në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit (DKA), kemi reduktuar orarin mësimor për të minimizuar ndikimin e mungesës së ujit”- potencoi drejtoresha.

Se si do të kompensohen orët e humbura për nxënësit e njëjta tha se “do të koordinohen më DKA-në.”

Për mungesën e ujit, janë ankuar edhe nxënësit, gjë që ka ndikuar edhe në mbajtjen e mësimit.

“Ka qenë problem për mbajtjen e orëve mësimore sepse ka kundërmuar edhe erë e keqe dhe e kemi pas të pamundur të shkojmë edhe në tualete”- tha një nxënëse e klasës së shtatë.

Edhe prindërit janë ankuar se në gjithë këtë situatë, ata që po e pësojnë janë fëmijët.

“Po fëmijët kanë humbur këtu, sepse ti me dy orë nuk mundesh me mësu asgjë. Veç kësaj edhe prej erës që ka kundërmuar mundet që me i shkaktu fëmijës probleme me shëndetin. Në këtë mes askush nuk ka pësu tjetër, përpos fëmijëve”- u shpreh një prind në kushte anonimiteti.

Në lidhje me këtë çështje, zëdhënësja e Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina, Arjeta Mjeku tha për KALLXO.com tha se qytetarët e asaj zone kanë qenë të njoftuar për reduktim të ujit.

“Ju informojmë se në zonën përkatëse (lagjja Medrese dhe një pjesë e lagjes Kodra e Trimave) është duke u realizuar projekti ‘Rehabilitimi i rrjetit primar të ujësjellësit në lagjen Medrese’. Për këto punime konsumatorët janë njoftuar për orarin e reduktimeve të ujit përmes postimit në Facebook”- tha Mjeku për KALLXO.com.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Drejtoreshën e Arsimit të Komunës së Prishtinës, Jehona Lushtaku, e cila tha se shkolla ka nevojë për rinovim ose për ndërtim të ri.

“E di që ka probleme sistemike të përsëritshme edhe të mbylljes së kanalizimeve dhe ujit, kështu që ka të bëjë me instalimet e vjetra”- tha Lushtaku.

Sipas së njëjtës, pasi të takohen edhe me prindërit do të marrin një vendim për këtë shkollë.