Pas Francës, Gjermanisë dhe SHBA-së, edhe Britania e Madhe po e shqyrton mundësinë e dërgimit të tankseve në ndihmë Ukrainës

Britania po e shqyrton furnizimin e Ukrainës me një mori tankesh Challenger 2, hera e parë që një vend perëndimor ka treguar se mund ta furnizojë Kievin me armatim të rëndë në luftën kundër Rusisë. Asnjë vendim përfundimtar nga Downing Street nuk është marrë, thonë burimet britanike, megjithatë Ukraina shpreson që një lëvizje pozitive nga Mbretëria e Bashkuar mund të ndihmojë në bindjen e Gjermanisë që ta ndjekë shembullin më vonë këtë muaj me tanket e saj të fushëbetejës Leopard 2.

Në anën tjetër, SHBA thuhet se po shqyrton dërgimin e automjeteve të blinduara luftarake Stryker në Ukrainë. Ky vendim mund të shpallet javën e ardhshme, por nuk është marrë një vendim përfundimtar, raportoi Politico, duke cituar dy burime të njohura me këtë çështje.

Gjermania nuk ka plane të dërgojë tanke Leopard 2 në Ukrainë, tha një zëdhënës i qeverisë. Robert Habeck, ministri i ekonomisë i Gjermanisë, tha të dielën se Berlini nuk mund ta përjashtojë dorëzimin e tankeve Leopard – të cilat janë mjete luftarake më të rënda se Marders – për t’i mbështetur forcat ushtarake ukrainase në të ardhmen.

Dy britanikë janë zhdukur në Ukrainë, ka thënë Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar. Burrat të cilët po konsiderohen si të zhdukur u përmendën në raporte si vullnetarë me emrat Andrew Bagshaw dhe Christopher Parry. Për dyshen në fjalë dihej për herë të fundit se po udhëtonin nga Kramatorsk në Soledar më 6 janar, sipas Sky News.

Trupat ruse po bëjnë një përpjekje tjetër për të avancuar në qytetin Soledar në rajonin lindor të Donbasit, sipas zëvendësministres së mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Maliar. Sulmet ruse në ditët e fundit janë fokusuar në Soledar në një përpjekje të dukshme për ta shkëputur qytetin. Kapja e qytetit Soledar, i cili shtrihet në verilindje të Bakhmut, do t’i vinte forcat ukrainase në zonë në rrezik të rrethimit dhe do t’i ofronte Rusisë një rrugë të mundshme afrimi kundër atij qyteti.

Ukraina po i përforcon pozicionet e saj rreth Bakhmutit në rajonin lindor të Donbasit, pas disa ditësh sulmesh të pamëshirshme nga forcat ruse të kryesuara nga grupi mercenar ëagner. Qytetet Bakhmut dhe Soledar kanë qenë fokusi i përpjekjeve intensive të Moskës zyrtare për të bërë përparim në një zonë ku forcat ruse janë përpjekur dëshpërimisht të përparojnë që nga fillimi i verës.

Dyshime të forta janë shfaqur mbi pretendimet ruse se i kanë vrarë 600 ushtarë ukrainas në kazermat në Kramatorsk. Gazetarët që e vizituan qytetin nuk qenë në gjendje të gjenin prova të viktimave në shkallë të gjerë. Megjithatë, Kremlini zyrtar thotë se është i bindur se ministria e tij e mbrojtjes ka qenë e saktë në pretendimet se 600 anëtarë personeli të shërbimit ukrainas janë “shkatërruar” në një sulm rus.

Kremlini zyrtar e ka hedhur poshtë një pohim ukrainas se një zyrtar i lartë rus e ka hedhur idenë e një marrëveshjeje të mundshme paqeje me zyrtarët evropianë. Oleksiy Danilov, sekretari i këshillit të sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare të Ukrainës, i tha transmetuesit publik të vendit të enjten se Dmitry Kozak, nënkryetari i administratës presidenciale të Rusisë, kishte mbajtur takime me zyrtarë evropianë në një përpjekje për ta detyruar Kievin të nënshkruajëe atë që ai e karakterizoi si marrëveshje të pafavorshme paqeje.

Italia nuk do ta marrë një vendim për furnizimin me armë të reja në Ukrainë deri në muajin e ardhshëm, sipas një raporti të atjeshëm. Kryeministrja italiane Giorgia Meloni përballet me rezistencë ndaj miratimit të një dekreti për dërgimin e armëve në Ukrainë nga aleatët e saj Matteo Salvini dhe Silvio Berlusconi, raportoi la Repubblica, si dhe çështjet mbi konsideratat e kostos dhe mungesat ushtarake.

Ministri i Jashtëm i sapoemëruar i Kinës, Qin Gang, foli me homologun e tij rus, Sergei Lavrov, për ta diskutuar “krizën” në Ukrainë, tha ministria e jashtme kineze. Ministria tha se Qin bëri thirrje për përpjekje për ta zgjidhur në mënyrë paqësore krizën në Ukrainë.

Komisioneri i Ukrainës për të drejtat e njeriut do të takohet me homologun e tij rus për bisedime në Turqi këtë javë, njoftuan agjencitë e lajmeve nga të dy vendet. Tatiana Moskalkova, komisionerja ruse, u citua nga agjencia e lajmeve Interfax të ketë thënë se takimi me Dmytro Lubinets të Ukrainës do të zhvillohet gjatë një forumi ndërkombëtar në Turqi midis të enjtes dhe të shtunës. Bisedimet ka të ngjarë të përfshijnë mundësinë e shkëmbimeve të mëtejshme të robërve të luftës./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala