Pas fitores së Joe Biden, Vjosa Osmani pret marrëdhënie më të mira me SHBA-të

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në një intervistë dhënë për gazetën “Financial Times“, ka deklaruar se presidenti i zgjedhur për president të ShBA-ve, Joe Biden është mik i Kosovës, duke shpresuar që marrëdhëniet me ShBA-të të ndryshojnë pas zgjedhjes së tij.

Osmani u shpreh se Biden nuk do të përpiqet ta ndryshojë të vërtetën rreth gjenocidit dhe krimeve kundër njerëzimit që ka ndodhur në luftën e fundit në Kosovë.

“Joe Biden e di të vërtetën dhe e vërteta është shumë e qartë dhe e thjeshtë. Serbia e humbi Kosovën sepse abuzoi me parimin e sovranitetit dhe integritetit territorial për të vrarë njerëzit që jetuan në atë territor, për të kryer gjenocid në tentativë, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai e dinë të vërtetën dhe nuk po do të përpiqet ta ndryshojë ”, u shpreh Osmani.

Atëbotë senator amerikan, Joe Biden ka qenë i zëshëm i ndërhyrjes së forcave amerikane në luftën e fundit në Kosovë.

Biden arriti të mposhtë Donald Trump në zgjedhjet e nëntorit për president të vendit por ky i fundit ende nuk e ka pranuar rezultatin e zgjedhjeve. Para se të bëhej i nominuari për president i Demokratëve, Biden shërbeu si Nën-President në administratën e Barack Obamas. Ai është gjithashtu senatori më jetëgjatë i Delaware.