Ilustrim

Pas dy viteve mungesë, Kuvendi emëron anëtarin e Bordit për Ankesa të Mediave

Me 51 vota, Kuvendi i Kosovës ka emëruar sot Granit Mavriqin anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave, të Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM).

Emërimi i tij është bërë pas më shumë se dy viteve prej kur Bordi ka mbetur jofunksional si pasojë e mungesës së një nga tre anëtarët e nevojshëm. KALLXO.com ka raportuar për këtë çështje.

Mavriqi është zgjedhur anëtar me mandat tre vjeçar.

Në garën për këtë pozitë ka qenë edhe Martin Komani i cili ka marrë votat e 30 deputetëve të Kuvendit.

Votimi i kësaj pike ishte shtyrë për sot, për shkak se në seancën e mbajtur me 24 maj nuk kishte numër të mjaftueshëm të deputetëve për ta hedhur këtë pikë në votim.

Vizitat e deputetëve jashtë shtetit dhe mungesa e tyre në seancë e ka shtyrë për disa herë vendimmarrjen se kush duhet të jetë anëtar i Bordit të Ankesave për media në Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM).

Bordi i Ankesave për Media që nga 15 marsi i vitit 2021, kishte mbetur jofunksional, pasi mungonte njëri nga tre anëtarët.

Sipas të dhënave në këtë bord gjatë vitit 2021 janë pranuar 21 ankesa, ndërsa gjatë vitit 2022 janë pranuar 26 ankesa, të cilat kanë mbetur të pa shqyrtuara.

KPM është edhe kategori kushtetuese, që përbëhet prej Bordit të KPM-së dhe Bordit për Ankesa të Mediave.

Me 24 maj, anëtare në Komisionin e Pavarur të Mediave me 48 vota të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, është zgjedhur kandidatja Luljeta Aliu – Krasniqi.

Ndërsa, për dy anëtarë të tjerë të këtij komisioni, asnjë nga katër kandidatët nuk arritën të marrin votat e nevojshme për tu emëruar në këtë pozitë.

Në kohën e dezinformatave, deputetët në udhëtime e me mungesa lënë KPM-në pa bord