Pas dorëheqjes, Meliza Haradinaj-Stublla hedh akuza ndaj “kryetoksikut” të AAK-së

Ish-ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj-Stublla, pas dorëheqjes nga pozita e saj si ministre dhe funksionet e saj në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës ka hedhur akuza për një individ brenda AAK-së.

Haradinaj-Stublla përmes një shkrimi në Facebook ka hedhur akuza ndaj dikujt brenda AAK-së pa ia përmendur emrin, por duke e quajtur “kryetoksiku”,  ‘i pamposhturi’, “nënkryetari i përhershëm dhe i pamposhtur”, “zotëriu”.

“Kryetoksiku paska ‘vlerësuar’ punën, kontributin, dhe bashkëpunimin me mua, duke thënë se nuk e ka kuptuar saktësisht deklaratën time… e mu për këtë arsye, po ia plotësoj me gjithë qejf dëshirën”, ka shkruar ajo.

Tutje, Haradinaj-Stublla ka akuzuar se personi në fjalë ka trembur e larguar shumë figura të dinjitetshme e kredibile nga strukturat e degës në Gjakovë dhe nga kryesia qendrore e partisë, vetëm për të mos humbur ‘pushtetin’ e tij përbrenda partisë, duke qëndruar me insistim afër kryetarit Ramush Haradinaj. 

Ajo ka thënë se ai ka kërcënuar e shantazhuar individë gjatë zgjedhjeve për ta votuar atë dhe jo kandidatë tjerë të AAK-së.

 “I shokuar nga rezultati i natës së zgjedhjeve, pas mbylljes së vendvotimeve dhe numërimit në Gjakovë, ishte pikërisht ky që tregojnë shumë burime se ‘shantazhoi e kërcënoi’ të gjithë mbështetësit e sinqertë të AAKsë që përkrahën kandidatë të tjerë, specifikisht JO atë dhe rrethin e tij të të panjohurve dhe të sapoaderuarve në listë. I mbajti hermetike rezultatet e Gjakovës për kandidatët e AAK-së për dy ditë rresht, mesiguri që për asnjë arsye të shëndoshë” ka shkruar ajo.

Të njëjtin, ajo e ka cilësuar si njeri “pa kapacitet intelektual” dhe “delirant”.

“Të kërkoj falje që e zgjata – zotëri ‘i pamposhtur’ – ndoshta edhe të ka marrë gjumi me lexim deri tash në këtë paragraf. Por jam e obliguar ta këpus vrullin ty e secilit deliranti si ty, që ka vetëbesimin të më reagojë. Admirim për guximin. Po e ndal me kaq këtë herë” shkruan Haradinaj-Stublla.

Ajo sot ka dhënë dorëheqje pas akuzave për blerje të votave që do ta bënin Haradinajn – Stublla deputete.