Foto ilustruese: Pixabay

Pas dorëheqjes, Hykmete Bajrami shpalos detaje të vjedhjes së 2.1 milionëve nga Thesari i shtetit

Pak orë pas dorëheqjes, ish-ministrja e Financave, Hykmete Bajrami, ka shpalosur detaje të skandalit të vjedhjes së 2.1 milionëve eurove nga Thesari i shtetit.

Sipas saj, kjo vjedhje shënon rastin e parë në Kosovë ku gjithçka është duke u zbardhur.

Bajrami ka njoftuar se dy persona tashmë janë në burg ndërsa të tjerët janë duke u hetuar, derisa thotë se të gjitha mjetet do të kthehen në buxhet pasi të përfundojë procesi gjyqësor.

Ky është postimi i plotë i ish ministres Hykmete Bajrami:

Dy hajnat e 2.1 milionëshit janë në burg, gjithë përfituesit nën hetime

Vjedhja e Thesarit shënon rastin e parë në Kosovë ku gjithçka është duke u zbardhur. Dy persona janë në burg – zyrtari i MF i cili ka punuar në Thesar nga viti 2011 dhe pronari i kompanisë. Përfituesit tjerë janë nën hetime.

GJITHÇKA është e qartë dhe po zbardhet.

Rastin e kam denoncuar unë edhe sot kërkoj që të gjithë hajnat duhet të marrin denime kapitale.

Të gjitha mjetet finaciare janë gjurmuar, shumica prej tyre janë të bllokuara dhe sapo të kryhet procesi gjyqësor ato mjete do të kthehen në buxhet.

Oganet e drejtësisë NUK do të dështojnë në këtë rast sepse çdo gjë DIHET. Besoj që Prokuroria të dalë sa më shpejtë me sqarime shtesë dhe informacione më të detajuara rreth këtij rasti.

Pra, unë e kam lajmëruar Policinë, AKI-në, Prokurorinë. Jam ballëhapur para Zotit dhe para secilit qytetar të Republikës.

Hajnat do t’i denoncoj në secilën pozitë që do të jem. Edhe si deputete do të jem zëri i gjithë atyre qytetarëve që më kanë votuar tash më shumë se në zgjedhjet e kaluara.