Pas dorëheqjes së ekspertëve të Grupit Punues të procesit të Vettingut reagon ministri i Drejtësisë

Ministri i Drejtësisë, Selim Selimi ka reaguar pas dorëheqjes së ekspertëve të Grupit Punues të procesit të Vettingut i zgjedhur nga Qeveria Kurti.

Selimi përmes një publikimi në Facebook ka thënë se edhe pse e kanë formuar një grup tjetër, grupi i dorëhequr ka mund t’i bashkëngjitet, por nuk kanë dërguar komente por kanë dhënë dorëheqje publike.

Selimi ka paralajmëruar konferencë për media të premten për të njëjtën arsye.

“Bashkë me zëvendëskryeministrin Driton Selmanaj, ditë më parë kemi zhvilluar takim me Grupin e Ekspertëve për dizajnimin e parimeve udhëheqëse dhe skenarëve të reformës së Vettingut, me qëllim që të informohemi për progresin e arritur dhe për të diskutuar hapat se si të vazhdojmë tutje. Pas këtij takimi, e kemi lënë të hapur mundësinë, që ky grup të jetë pjesë e një gjithëpërfshirjeje të të gjitha institucioneve që janë hisedarë të drejtësisë dhe partnerëve strategjikë të Kosovës. Pas dërgimit të propozim/vendimit për përbërjen gjithëpërfshirëse të Komisionit dhe termat e referencës, që do të propozojë sistemin e llogaridhënies duke përfshirë edhe Vettingun, dhe mundësinë që përbërja e mëparshme e ekspertëve të jenë pjesë e këtij grupi, ata kanë vendosur mos të dërgojnë komente, por të japin dorëheqje publike. Lidhur me këtë, të premtën do të mbajë konferencë për media, ku do t’i shpjegoj arsyet dhe propozimin e ri”, ka shkruar Selimi.

Shtatë ekspertët nga shoqëria civile janë dorëhequr nga grupi punues për procesin e vettingut.

Ariana Qosaj Mustafa, Arton Demhasaj, Arbëresha Loxha, Ehat Miftaraj, Fisnik Korenica, Kreshnik Gashi dhe Kujtim Kërveshi, letrën e tyre të dorëheqjes ia kanë dërguar Ministrit të Drejtësisë, Selim Selimi gjatë ditës së sotme.

Sipas tyre, dorëheqja vjen pasi sistemi i drejtësisë në Kosovë është duke devijuar përmes qasjes së re, ku pjesëmarrja apo kontributi i grupit të ekspertëve ka humbur rëndësinë.

Dorëhiqen ekspertët e grupit punues për procesin e vettingut