Gazmend Muhaxheri. Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Pas debatit "Jeta në Komunë", AAK në Pejë i reagon Gazmend Muhaxherit

Pas emisionit të së hënës “Jeta në Komunë”, ku i ftuar ishte kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar partia opozitare në këtë komunë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Përmes një postimi në Facebook, AAK, dega në Pejë ka thënë se po konfirmohen dështimet e kryetarit të Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri.

Partia e cila udhëheqte me Pejën para dy mandateve, ia ka numëruar edhe premtimet e parealizuara të Gazmend Muhaxherit që i pati dhënë para tri viteve, kur ia pati mësyrë për herë të dytë qeverisjes lokale.

“Dështimi i projektit “Borea”, me të cilin premtim Gazmend Muhaxheri fitoi zgjedhjet. -Degradimi i natyrës së Rugovës, duke lejuar ndërtime pa leje për militantët e vet, si dhe me qëllim të përfitimit të mitos, për çka nga qeverija e Muhaxherit ka edhe të akuzuar dhe të dënuar për korrupsion, sikurse edhe thyerja e planit urbanistik nga ana e tij, duke lëshuar leje për ndërtimin e banesave, për shokët e tij, për çka edhe po hetohet nga Prokuroria”, thuhet mestjerash në reagimin e AAK-së, dega në Pejë.

Gjatë emisionit të mbrëmshëm, kryetari i Pejës u ballafaqua edhe me hulumtimin për dhënien e shtatë tendërve për një kompani e cila është e afërt me LDK-në, parti e cila udhëheq Pejën që dy mandate.

Tutje, AAK e Pejës ia përmendi se edhe “Balona me ajër” e promovuar nga Komuna e Pejës, është në pronësi të një drejtoreshe të komunës.

Mbrëmë, KALLXO.com raportoi se balona është në pronësi të kompanisë “Balkan Sky”, pronar i së cilës është babai i Lendita Muahxherit, drejtoreshës së Zhvillimit Ekonomik në Komunën e Pejës.

Të plotë reagimin e AAK-së, dega në Pejë mund ta lexoni më poshtë:

Çdo ditë po konfirmohen vërejtjet e AAK-së për dështimet e Gazmend Muhaxherit

Në debatet televizive të cilat po realizohen kohë pas kohe, fatmirësisht po konfirmohen të gjitha vërejtjet që AAK në Pejë i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë gjatë këtyre tri viteve të qeverisjes së kryetarit Gazmend Muhaxheri, për mosrealizimin e premtimeve dhe objektivave që ai dhe qeverisja e tij, i ka pasur gjatë tërë kësaj kohe, siç janë:

-Dështimi i projektit “Borea”, me të cilin premtim Gazmend Muhaxheri fitoi zgjedhjet.

-Degradimi i natyrës së Rugovës, duke lejuar ndërtime pa leje për militantët e vet, si dhe me qëllim të përfitimit të mitos, për çka nga qeverija e Muhaxherit ka edhe të akuzuar dhe të dënuar për korrupsion, sikurse edhe thyerja e planit urbanistik nga ana e tij, duke lëshuar leje për ndërtimin e banesave, për shokët e tij, për çka edhe po hetohet nga Prokuroria.

-Mos rregullimi i çështjes së kanalizimeve, duke lejuar që të ndotet lumbardhi dhe natyra.

-Keqmenaxhimi i mbeturinave, si ne zona turistike ashtu edhe nëpër qytet, e për më tepër fajsimi dhe fyerja që Muhaxheri po vazhdon t’u bëj qytetarëve të cilët nuk kanë se ku të bëjnë hudhjen e mebturinave.

-Mungesa e ujësjellësit, si në fshatrat e Komunës së Pejës ashtu edhe në qytet.

-Kurdisja e tenderëve, për bashkëpartiakët e kryetarit.

-Emrimi i drejtorëve të shkollave dhe institucioneve të tjera, nga partia e kryetarit.

-Shndërimi i qytetit në “liqe”, si pasojë e keqmenaxhimit më vërshimet, si dhe moskompensimi i premtuar i dëmëve.

-Njëkohësisht, as mos kompensimi i premtuar i dëmëve edhe të erërave të forta, të muajit shkurt.

-Mungesa e transparencës, duke e rënditur qeverisjen e Muhaxherit në vendet e fundit në lista.

-Mos realizimi i projektit për energji alternative.

-Mos funksionalizimi i objekteve të ambulantave nëpër të gjithë Rugovën, si zonë turistike, mungesa e stafit mjekësor atje, ndonëse objektet ekzistojnë, ato nuk funksionojnë.

-Punësimi i militantëve të partisë së tij, madje edhe pakonkurs.

-Mos realizimi i shtegut të biçikletave, përkundër hapësirave në dispozicion.

-Kurdisja e tenderëve për bashkëpartiakët e LDK-së, madje kur fitues të mbi pesë tenderëve janë baballarët e drejtorave të qeverisë Muhaxheri.

-Gjithashtu, edhe financimi për bizneset vetëm të familjarëve të drejtorëve të tij, sikurse “Balona me gaz”, ndërsa anashkalimi total i bizneseve të qytetarëve, të cilët megjithatë janë buzë falimentimit.

-Mos realizimi i projekteve, sikurse është rasti në pjesën ku lidhen fshati Gllogjan-Llugagji, me vlerë prej 200 mijë eurove;kontrata e nënshkruar në vitin 2018, kurse projekti nuk është realizuar, ndonëse pagesa ëshë kryer.

-Stadiumi i qytetit “Shahin Haxhiislami”, edhe pse investimi në vlerë prej 700 mijë eurove, punimet kanë ngecur kurse paratë nuk dihet se ku kanë përfunduar.

-Devijimi i prioriteteve dhe mosbashkëqeverisja me qytetarin, injorimi i tyre, duke mos u konsultuar me ata për planet dhe nevojat e tyre.

-Keqplanifikimi i infrastrukturës rrugore, duke ofruar trotuare që mundësojnë parkingje ilegale.

-Qeverija e Gazmend Muhaxherit përbëhet nga njerëz që janë të përfshirë në afera korruptive dhe zhvatje, sikurse është rasti i fundit edhe me shefin e kabinetit të tij, si dhe më shumë se dhjetë zyrtarëve të tjerë, nëpër afera të ndryshme.

Mirëpo, nuk është kjo e tëra, ngase AAK në Pejë, gjatë ditëvë në vazhdim do të shpalos edhe shumë fakte të tjera, që dëshmojnë dështimet, ngecjet dhe mos realizimin e objektivave, por me theks të veçantë do të sjellim edhe fakte për korrupsionin dhe shpërdorimin e parasë publike, që kjo qeveri komunale po i shkakton qytetarëve të saj.

#aakpeje