Pas bojkotimit të konferencës, Qeveria akuzon mediat se nuk e vunë në rend të parë interesin publik

Zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu ka reaguar pasi mediat kanë bojkotuar konferencën e ministrit Hekuran Murati dhe ministres Arbërie Nagavci të cilët u vonuan rreth 40 minuta pas mbledhjes së Qeverisë.

Kryeziu ka thënë se vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë, sipas tij, pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë po mbahej një takim i brendshëm i kabinetit qeveritar.

“Shprehim keqardhje për atë që ndodhi sot. Vonesat në fillimin e konferencës për media ishin të arsyeshme meqë pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë kishte një takim të brendshëm të kabinetit qeveritar. Mbajtja e konferencës pas mbledhjes së Qeverisë ishte paralajmëruar paraprakisht”- ka thënë ai.

Sipas tij, mediat me bojkotimin e konferencës nuk e kanë vendosur në rend të parë interesin publik.

“Me gjithë konsideratën për punëtorët e medieve që ishin prezent në ndërtesën e Qeverisë, besoj shumë që kjo situatë ka mundur të shmanget. Konferencat për media pas mbledhjes së Qeverisë janë me interes për publikun. Sot nuk pati konferencë për media sepse interesi publik nuk u vendos në rend të parë”- ka thënë tutje Kryeziu.

Ministri i Financave, Hekuran Murati dhe Ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci u vonuan 40 minuta në konferencën e paralajmëruar, prandaj gazetarët vendosën që ta bojkotojnë këtë konferencë.

Kjo konferencë u paralajmërua që të mbahet menjëherë pas mbledhjes së 121-të të Qeverisë së Kosovës, por në fakt nuk nisi as pas 40 minutave.

Pas ardhjes së tyre, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu insistoi te gazetarët që të mbahet konferenca për të cilën tha se është me rëndësi.

“Vazhdojmë kësaj radhe, nuk ndodh në të ardhmen. A munden me ua kërku si favor kësaj radhe, herëve të tjera mos me pas situata të tilla” – thotë Kryeziu.

Megjithatë gazetarët nuk u bindën dhe nuk hoqën dorë nga vendimi i tyre.

“Me gjithë respektin, por e kemi vendos” – dëgjohet të thotë njëra nga gazetaret.

Më poshtë mund të shihni reagimet e ministrave dhe zëdhënësit të qeverisë.