Takimi i Kurtit me ambasadorin e SHBA-së, Foto: ZKM
Pas bisedës me Chollet, Kurti zhvilloi takim edhe me ambasadorin Hovenier
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti sot ka zhvilluar një takim me ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier.
Takimi ka përfunduar para pak minutash dhe ka qenë i mbyllur për media.
KALLXO.com mëson se takimi ka qenë takim i rregullt javor të cilin Kurti e zhvillon me Hovenier.
Ky takim vjen pas telefonatës të cilën kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka zhvilluar me këshilltarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit, Derek Chollet.
Kurti me Chollet sipas komunikatës së Zyrës së Kryeministrit kanë biseduar procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me theks te zbatimi i plotë dhe i pakushtëzuar i Marrëveshjes Bazike, dhe për takimin e së hënës në Bruksel në nivel të kryenegociatorëve.
Po ashtu, sipas njoftimit ata folën edhe për situatën në katër komunat në veri të Kosovës pas zgjedhjeve të 23 prillit dhe për finalizimin e procesit zgjedhor me rastin e mbajtjes së seancave konstitutive dhe betimit të kryetarëve të zgjedhur.
Bisedë me Chollet mbrëmë ka pasur edhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq i cili ka thënë se kryetarët e komunave në veri të Kosovës nuk do t’i pranojnë kurrë.
Kurti bisedon me Chollet për dialogun dhe situatën pas zgjedhjeve në katër komunat në veri